Kryeministri Edi Rama kërkon sërish dialog me protestuesit. Kreu i qeverisë ka vendosur sërrish karrige në sheshin para Kryeministrisë.

Ai deklaroi se dje, dialogu mori përgjigjen e dhunës, ku studentët dhe pedagogët thyen karriget e vendosura prej tij për dialog.

Rama theksoi se dora e tij është e shtrirë për këdo që mendon ndryshe. Kreu i qeverisë u shpreh se çdo dhunues do të marrë përgjigje ligjore dhe financiare.

“Ka 1001 pakënaqësi, 1001 halle, 1001 probleme. Mund të ketë dhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun, për dialogun mes njerëzish që ndajnë të njëjtin atdhe, mes njerëzish që kanë të njëjtën shtëpi të përbashkët, mes njerëzish që duan të njëjtën gjë në fund të fundit, si ta bëjmë Shqipërinë më të mirë.

E drejta e protestës është e pamohueshme. Dhuna është krim i ndëshkueshëm. Dje dialogu mori përgjigjen e dhunës. Sot dialogu është këtu përsëri. Dora ime është e shtrirë për të gjithë ata që mendojnë ndryshe nga unë dhe që mendojnë ndryshe nga shumica e terrorizuar nën trysinë e dhunës. Por në të njëjtën kohë çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më mirë, çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më shumë, çdo gjë që kërkojmë të bëjmë më shpejt bëhet me punë, bëhet me të ardhurat nga puna, bëhet duke i çuar ato të ardhura aty ku janë problemet që kërkojnë zgjidhje.

Distancohuni nga dhuna dhe nga ana tjetër çdo dhunues do të marrë përgjigjen. Përgjigja nuk do të vonojë dhe do të jetë konstante. Përgjigja do të jetë ligjore. Përgjigja do të jetë financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët do të paguajë. Kush dëmton pasurinë e tjetrit do të paguajë. Shqipëria është e të gjithëve. Në Shqipëri secili do ta ketë vendin e vet, por nga ana tjetër liria e askujt nuk mund të shtrihet aty ku fillon liria e të tjerëve. E drejta e askujt nuk mund të imponohet aty ku të tjerët kanë të drejtë të jetojnë nën qiellin e përbashkët të bashkëjetesës demokratike dhe të bashkëjetesës paqësore”, tha ai./

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *