Nga L. Skiroi/

Sot kanë dhënë dorëheqjen dy këshilltarë të ministrit të Brendshëm, Dritan Demiraj. Emrat e këshilltarëve janë mes më të njohurve në fushën e sigurisë dhe të shërbimit policor në vend: Muhamet Rrumbullaku dhe Aleks Hajdari.

Çfarë qëndron pas dorëheqjes?

Skena e parë e prezumuar si ‘e fshehtë’ në fakt nuk qëndron, sepse është bërë transparente nga vetë këshilltarët që kanë treguar sinqerisht arsyen.

“Ne mbaruam detyrën, ishim vënë në këtë detyrë deri sa të mbaronin zgjedhjet”. Tani ja ku jemi dhe duam të merremi me punët tona”.

Por me këtë rast, dy këshilltarët ndezin një “llambë” të kujtesës sonë mbi një marrëdhenie më të gjërë. Fjala është për marrëveshjen mes liderëve të PS dhe PD, Rama dhe Basha, më 19 maj, kur ndërtuan godinën e një bashkëqeverisjeje “në errësirë”. Atë ditë u tha se ko ‘bashkëqeveri’ do të mbijetojë derisa të mbarojnë zgjedhjet parlamentare. Tani ato kanë mbaruar.

Mirëpo nuk po mbahet fjala, që është jo thjesht “fjalë burrash” por fjalë ligji dhe shteti. As kryeministri dhe as kryetari i Opozitës nuk po thonë se “qeverisja e përbashkët mbaroi!”. Mirëpo kujtesën e kanë më të mprehtë këshilltarët e ministrit; ata mbajnë mend me respekt fjalën që u tha para publikut. Tani ka mbaruar.

Por marrëveshja mes liderëve PS e PD ishte e fshehtë e tani po del se nuk është vendosur ajo çfarë u tha. Në publik është hapur fjala se ‘qeverisja e përbashkët’ do të vazhdojë katër vjet. Koalicioni mund të shpallet ose jo. PD që humbi zgjedhjet aq thellë, i humbi edhe për arsye të marrëveshjes së fshehte. Në qoftë se do të vazhdojë një qeverisje e projektuar fshehurazi dhe në errëzirë, atëherë ajo do të jetë një qeverisje në lëngatë…

Aq më shumë vetë demokracia, e cila do të goditet fort…

Ja këto qëndrojnë pas dorëheqjes së dy këshilltarëve.

Veritas.com.al/