Andi Bora/ TCH

21 komisionerë zgjedhorë dhe 1 qytetar u vunë në pranga mbrëmjen e së hënën në zonën e Tiranës dhe Durrësit, në funksion të hetimeve të dosjes 339.

 Sipas Prokurorisë së Posaçme SPAK, ata rezultojnë të jenë të përfshirë në krime zgjedhore në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.

7 komisionerë janë të PS , 3 të LSI, 8 komisionerë të PD dhe 3 të Partisë Republikane.

Këta komisionerë kanë qenë në detyrë në tre qendra votimi, dy në fshatin Rubjekë, dhe një në fshatin Shetel, në Shijak.

Sipas SPAK, në qendrën e votimi në Shetel, ata kanë lejuar me dashje persona të tjerë të cilët janë paraqitur pranë tyre dhe kanë votuar në emër të votuesve të tjerë. Prokuroria e Posaçme thotë se ka provuar se në këtë qendër votimi është votuar për 22 persona të cilët nuk kanë qenë në Shqipëri, ditën e zgjedhjeve.

I njëjti skenar është zbatuar edhe në dy qendrat e votimit në fshatin Rubjek. Në njërën prej tyre është votuar për 7 shtetas që nuk kanë qenë në Shqipëri ndërsa në tjetrën për 23 persona, edhe ata jashtë vendit tonë ditën e zgjedhjeve.

I përfshirë ka qenë edhe shtetasi Armelin Zeka, që ashtu si edhe komisionerët zgjedhor akuzohet për veprën penale të “Votimit më shumë se një herë ose pa u identifikuar.

Për këtë arsye gjykata për korrupsionin dhe krimin e organizuar ka caktuar masën e sigurisë arrest në burg për 11 prej tyre, arrest shtëpie për 8 dhe 3 të tjerë detyrim paraqitjeje.

Policia, për llogari të Spak, po mbrëmjen e së hënës, ka arrestuar edhe shtetasin Fisnik Sadiku, i cili rezulton se është i përfshirë në grupin kriminal, që prodhonin lëndë narkotike në një laborator në Has, ku në vitin 2018, u sekuestruan 182 kg heroinë dhe u morën të pandehur 8 persona.

Edhe kjo çështje është pjesë e dosjes 339. Hetimet për këtë dosje nisën që në vitin 2016, ndërsa në vjeshtën e vitit 2018 u finalizua operacioni “Vol-Vo 4”, ku u arrestuan 27 personat, mes tyre Astrit Avdyli, Flamur dhe Shkëlqim Avdyli si dhe u prenë 44 fletë arreste.

VERITAS.COM.AL