TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar pesë anëtarë të një grupi kriminal, në një fraksion të dosjes së SPAK-ut të njohur si “Revanshi”, për një sërë veprash të rënda penale.
Ish-efektivi i forcave speciale RENEA, Adrian Pikli, dhe Devis Bajramaj u dënuan secili me nga 10 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tyre u ul në 6 vite e 8 muaj burg.
Ndërkohë, Elvis Ndreca, djali i xhaxhait të ish-deputetit socialist Eduard Ndreca, si dhe Edison Muceku, u dënuan secili me nga 8 vite burg, dënim që u reduktua në 5 vite e 4 muaj me gjykim të shkurtuar.
Armando Ndreca u dënua me 11 vite burg, që me përfitimin e gjykimit të shkurtuar u ul në 7 vite e 4 muaj.
Sipas SPAK, të pandehurit u shpallën fajtorë për disa vepra penale, mes tyre kultivim i bimëve narkotike, armëmbajtje pa leje, tregti e paligjshme armësh dhe sigurim kushtesh e mjetesh për kryerjen e vrasjeve.
Nga hetimet rezulton se më 4 nëntor 2020, në Urën e Tapizës në Fushë-Krujë, Albert Zaja dhe persona të tjerë tentuan të vrisnin me armë zjarri Durim Bamin dhe Ervin Kodrën.
Po ashtu, gjatë periudhës maj-korrik 2020, Albert Zaja dhe Edison Muceku dyshohet se siguruan mjetet për vrasjen e Hamza Terziut. Në muajt korrik-gusht 2020, Elvis Ndreca siguroi mjetet për vrasjen e Durim Bamit.
Sipas dosjes së SPAK, në tetor 2020 Armando Ndreca organizoi dhe financoi grupin që prodhoi dhe shiti 243 kilogramë kanabis në Lezhë, ndërsa gjatë viteve 2020-2021, Devis Bajramaj dhe Adrian Pikli u përfshinë në tregtinë e paligjshme të armëve dhe municioneve, duke i shitur ato edhe personave me precedentë penalë.
Komente