Sot në Kuvend, socialistët e kanë fajësuar ish-Presidentin e vendit, Sali Berishën, për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha nga SHIK-u dhe e kanë konsideruar atë si një krim shtetëror për të cilin ai kishte pasur dijeni të plotë, të provuar. Ka qënë deputeti Erion Braçe dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri që i kanë rënduar akuzat në drejtim të Berishës për pozicionin që ai mbante në atë kohë.Berisha ka reaguar menjëherë në foltoren e Kuvendin, duke ngritur pyetjen se nëse këto ishin të vërteta, përse atëherë ndaj tij nuk u formulua asnjë akuzë në kohën kur SHIK-un e drejtoi Fatos Klosi dhe Prokurorinë e Përgjithshme, Arben Rakipi, zgjedhur nga të majtët?!

 Berisha tha: “Çdo njeri i zhdukur i vrarë është një keqardhje. As nuk jam impresionuar, as nuk impresionohem nga përdorimi politik. Rastin e tij për herë të parë ma ka prezantuar Adem Demaçi. U përpoqa me të gjitha mundësitë e mia. U fol se ishte i përfshirë në shumë gjëra, edhe në atentatin tim, por nuk kam pasur asnjëherë informacion. Më pas u tha se Arkani ishte takuar në Shkodër me Gazideden, por nuk u tha se u takua Berisha me Gligorovin dhe Millosheviçin. Unë nuk kisha asnjë motiv për t’u takuar. Takimet me Millosheviçin i bëtë ju. Kush e mori SHIK-un?! Fatos Klosi. Gjëja e parë që bëri Klosi ishte zhdukja e dosjes së tij.

 Pse nuk e bëri hetimin Fatos Klosi dhe më pas Arben Rakipi, që nuk formuluan dot akuzën më të vogël?!

 Në çdo zgjedhje do të dilte në skenë ky problem, por Qeveria ime nuk ka pasur asnjë informacion. Kam kënaqësi pra të dëgjoj që ju vazhdoni të jetoni kohën time: “Koha ime është koha ime”,përfundoi ai.