“Drama e Shqipërisë”- ky është artikulli i publikuar sot në “Huffington Post”. Shkrimi mban për autor Jaime Pozuelo-Monfort, i cili pas një udhëtimi në Shqipëri bën një analizë mbi gjendjen aktuale në vend, ku ndër të tjera thotë se sistemi ka dështuar. Monfort ka pasur takime me një sërë politikanësh, ambasadorësh, gazetarë dhe njerëz të rëndësishm të jetës publike në vend. Ai cek në shkrim shumë prej problemeve të sotme në Shqipëri. Sa i përket punësimit në administratën publike i shkruan se meritokracia nuk funksionon, por nevojiten lidhjet e ngushta familjare për t’u punësuar në shtet. Sipas tij sundon mediokriteti dhe jo profesionalizmi.
“Drama, qeverisja e keqe, pandemia e korrupsionit dhe nepotizmi do të shkatërrojnë vendin dhe shoqërine tashmë të lodhur, të hutuar, të humbur në tranzicionin për askund, ku drita është mekur nga errësira që prodhojne interesat partiake dhe ato ndërkombëtare. Shqiperia mund t’ja dalë, por jo me lojtarët dhe aktorët aktuale”, shkruan Monfort në “Huffington Post”.
Më tej në shkrim ai thotë se korrupsioni mbizotëron në të gjitha nivelet e shoqërisë shqiptare. Duke iu referuar brezit të lindur pas viteve 90, Monfort shkruan se ata shohin si të vetmen mundësi punësimi bizneset e call centre të ofruar nga italianët. Më tej ai nënvizon nevojën e krijimit të një rrjeti të fuqishëm ekonomik në Ballkan dhe për këtë ai thotë se Shqipëria duhet të bashkëpunojë me shtetet fqinje si Kosova, Serbia dhe Maqedonia./LAPSI.AL