Nga Valeria Dedaj/ Shekulli

Drama “Kompleksi i Edipit” e autorit Ferdinand Hysi, pasi kaloi procesin në “Netët e Leximit të Dramës Shqipe”, tashmë do të shikojë dritën e skenës. Vepra, vjen nën titullin “Vdiq mbreti-rroftë mbreti” me regji të Elma Doresit.

Premiera e dramës u dha të dielën në mbrëmje, përmes një suksesi të vërtetë dhe duartrokitjeve të spektatorëve.

Dramaturgu Hysi për zanafillën e kësaj drame, është shprehur se, gjithçka nis nga një barsoletë me tre zarfe. “Në një institucion të rëndësishëm zëvendësohet drejtori. Ish- drejtori shkon te drejtori i ri dhe në momentin, që do të largohet i thotë: ‘Të kam lënë tre zarfe, kur të kesh vështirësi hapi njëri pas tjetrit me radhë’. Pas disa muajsh, kur drejtuesi nuk po ia dilte dot hapi zarfin dhe lexoi atë që shkruhej në të: ‘Hidhja fajin atij që ishte para teje’. Kështu drejtori aktual nisi të thotë se fajet i kishte drejtori paraardhës, që i la situatën në atë gjendje. Por, as me fajësimin e drejtorit të parë nuk zgjidh dot gjë. Prandaj, pas dy muajsh hap zarfin e dytë, në të cilin ishte shkruar: ‘Bëj një autokritik dhe shtyje dhe për pak kohë’.

Ndërsa, zarfi i tretë ishte për drejtorin që do të vinte!

Hysi është marrë vetëm me zarfin e parë, ku pas drejtuesit që është ndarë nga jeta, vendin e tij e zë një tjetër. Dramaturgu rrëfen se e ka shkruar këtë vepër, duke u nisur nga predispozita, që ky drejtues ka dëshirë për të bërë diçka. Por çfarë ndodh në vepër? “Ndodh që drejtuesi i parë, i cili është ndarë nga jeta, e që tashmë ka mbetur veçse në një portret, ‘zbret’ nga portreti dhe i drejtohet drejtuesit aktual duke i thënë: ‘Unë për ty nuk kam vdekur!  Unë jam këtu i gjallë!”. I gjithë teksti i dramës zhvillohet në këtë linjë, ku ish- drejtuesi vazhdon që të jetën nëpër këmbë dhe firmos e vepron kudo. “Pra edhe drejtuesi aktual nuk bën asgjë ndryshe nga ai i pari”.

Kështu shtyhen disa vite me drejtuesin që iku, por nuk shohim se çfarë bën drejtuesi aktual. Nga kjo situatë përfitojnë, edhe ata që mbahen pas pushtetit, me servilizëm. “Familja futet në mes, prandaj siç Edipi kishte frikë nga i ati, për shkak të mëkatit që kishte bërë, dhe drejtuesit kanë frikë nga mëkati, që kanë bërë karshi pushtetit dhe njerëzve”. Këtu del në pah dhe paaftësia e drejtuesit aktual. Autori, para se t’ia besonte këtë komedi regjisores Elma Doresi, me të cilën ka bashkëpunuar edhe për pjesë të tjera në teatër, mendon se me këtë pjesë (që ai gjatë bisedës e konsideron komedi), jo vetëm mund të qeshet, por mund të krijohet një mendim i fortë, për një dramë satirë. “Dua të jetë një komedi, që pasi ta shikojë publiku të ngrejë pyetjet: Me kë e kishte? Me këtë që erdhi? Me këtë që iku? Apo me atë që do të vijë?”. Por, a janë politikanët tanë aktualë apo paraardhësit e tyre, personazhe në këtë pjesë?

Dramaturgu Hysi na ka treguar se shkruan për fenomenin, por në këtë pjesë ka shembuj drejtuesish nga të gjitha periudhat. Edhe nëse vepra do të ketë fatin, gjë që rrallëherë ndodh me veprat shqiptare, të shfaqet pas 20 vitesh në skenë, njerëzit që do ta shikojnë do të mendojnë se pjesa është shkruar për atë periudhë. Autori nuk merret me persona konkret, me emër edhe mbiemër, por me fenomenin që e shqetëson. Ai tregon nëpërmjet saj se njerëzit edhe kur kanë dëshirë që ta bëjnë diçka mirë, janë të pafuqishëm edhe nuk bëjnë më tepër sesa kanë bërë paraardhësit e tyre. Ferdinand Hysi është autor i më shumë se 30 dramave dhe komedive. Dramën e parë “Rruga Budi 723” e ka shkruar në vitin 1978.

Elma Doresi, gjatë regjisë së kësaj vepre, është përqendruar tek njerëzorja, duke u përpjekur që të hyjë thellë në “bodrumet e shpirtit”, që nuk mundet që t’i shoh askush, por që atje trazohet e bardha me të zezën. Ajo kërkon që të gjejë të dukshmen, që njerëzit nuk shfaqin, duke pranuar veten edhe jo duke kërkuar që të shtiren ndryshe nga çfarë janë.

“Duhet që të afrojmë të ardhmen, duke lënë pas të shkuarën. Por kjo nis fillimisht nga pranimi i vetvetes ashtu siç jemi, edhe jo duke u fshehur”, është shprehur Doresi për konceptin e veprës. Hysi, në bashkëpunim me Doresin kanë punuar, që në vepër të bëhen të gjitha ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që të vijë te publiku sa më bukur.

Aktorët që do të interpretojnë janë: Bujar Asqeriu, Sokol Angjeli, Klod Hoxha, Klea Huta, Devis Muka etj. Vëmendja e saj do të jetë e përqendruar, tek aktorët, kostumografia, ndriçimi etj. Doresi bashkëpunon për herë të dytë me dramaturgun Ferdinand hysi, pas veprës “Tre mendje në Ankand”. “Kompleksi i Edipit” (Vdiq mbreti- rroftë mbreti) është përzgjedhur për t’u vënë në skenë nga “Netët e leximit të dramës shqipe 2” në Teatrin Kombëtar.

Veritas.com.al/