Për Ardian Dvoranin Kushtetuta është e qartë sa i përket anëtarëve që duhet të përzgjidhen në Gjykatën Kushtetuese. Sipas Dvoranit, gjyqtarët e rinj duhet të përzgjidhen nga Presidenti dhe Kuvendi midis tre të kandidatëve të renditur të parët në listë.

I pyetur në emisionin Top Talk në Top Channel, përse KED i dërgoi Presidentit listë me katër emra dhe jo tre, Dvorani u përgjigj: “Sapo ju fola për procedurën e verifikimit. Ajo bazohet në disa kushte kandidimi: kandidati i cili plotëson këto kushte lejohet të kandidojë; KED ka bërë këtë detyrë. Tani ligji parashikon që Këshilli pasi përfundon vlerësimin, i dërgon organeve listën. Ishin 4, por mund të ishin 12, por Kushtetuta është e qartë, duhet të përzgjidhet midis tre të parëve”.

“Kushtetuta që parashikon një gjë që nuk ka vend as për t’u diskutuar se anëtari zgjidhet midis tre të parëve në listë”, shtoi Dvorani, duke lënë të kuptohet se në Gjykatën Kushtetuese duhej të përzgjidhej Arta Vorpsi dhe jo Marsida Xhaferllari.

Kreut të KED iu kërkua edhe një mendim se përse presidenti Meta zgjodhi të emërojë Marsida Xhaferllarin në Gjykatën Kushtetuese, e renditur e katërta në listë, dhe jo Arta Vorpsin, e renditur e para.

“Mendoj që një shpjegim duhet të jepet. Kodi i heshtjes ndaj argumentit nuk është sjellje korrekte”, tha Dvorani.

VERITAS.COM.AL/