Aksidenti më i rëndë raportohet të ketë ndodhur në Elbasan. Mësohet se përplasja ka ndodhur në vendin e quajtur “Colombo”, në Mengel, ku dy automjete që lëviznin me shpejtësi përballë njëri tjetrit janë përplasur.
Automjetet janë shkatërruar pjesërisht, ndërsa njëri prej tyre ka përfunduar jashtë rruge dhe ka rënë në një kanal. Për shkak të goditjes së fortë disa persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Mësohet se dy nga të plagosurit janë transportuar në spital në gjendje kritike. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e policisë si dhe ambulanca.
Ndërsa në Shkodër kanë mbetur të plagosur edhe 3 persona të tjerë por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Aksidenti ndodhi në aksin Shkodër-Postribë, në fshatin Bardhaj. Policia ndodhet në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.