![](https://veritas.com.al/wp-content/uploads/2024/01/900-0-1706200102xpolicia-durres-22-156-1.jpg)
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Durrës ku një oficer policie ka vrarë veten me armë zjarri.
Nënkomisari Arben Pjeçi me një karrierë 35-vjeçare në polici i ka dhënë fund jetës në zyrën e tij në policinë e Durrësit.
Pjeçi me origjinë nga Elbasani, rezulton se ka mbaruar Shkollën Skënderbej dhe prej 35 vitesh ka ushtruar detyrën e efektivit, sidomos në policinë kufitare. Ai është baba i një vajze dhe një djali.
Vetë policia në një reagim bën me dije se punonjësi i Policisë është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”. Kolegët e tij kanë marrë urdhër të bëjnë ekzekutimin e vendimit dhe dyshohet se kjo ka shtyrë efektivin të kryejë aktin. Mësohet se në vitin 2022 ai ka pasur një sherr me fqinjin duke e qëlluar me armë dhe pas procesit gjyqësor ai është dënuar.
![E rëndë në Durrës/ Nënkomisari vret veten brenda](https://media.pamfleti.net/pamfleti.net/media3/-900-0-1706201506x1385342-228752017290263-247305767-n-835.jpg)
Po ashtu bëhet me dije se familja kishte humbur kontaktet me të dhe kanë qenë kolegët që kanë shkuar te zyra e tij, duke zbuluar më pas se i kishte dhënë fund jetës.
“Sot, më datë 25.01.2024, nga ana e familjarëve të oficerit të Policisë Arben Pjeçi, është njoftuar Komisariati i Policisë Durrës, për humbjen e kontakteve me familjarin e tyre, i cili aktualisht është në detyrë specialist i Policisë Kriminale në këtë komisariat.
Nga Komisariati i Policisë Durrës filluan veprimet për kërkimin dhe gjetjen e specialistit.
Për njoftimin e bërë nga familjarët është marrë kallëzim, është njoftuar prokurori i gatshëm, janë kryer një sërë veprimesh procedurale, si dhe janë vënë në kontroll numrat telefonikë, me qëllim lokalizimin e vendndodhjes së këtij shtetasi.
Në kuadër të të gjitha veprimeve operacionale dhe procedurale për kërkimin e tij, rreth orës 16:15, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është hapur me forcë zyra e oficerit Policisë Gjyqësore, Arben Pjeçi, i cili është gjetur i vetëvrarë, me armën e shërbimit.
Punonjësi i Policisë Arben Pjeçi është dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për kundravajtjen penale “Plagosje e lehtë”, në bazë të nenit 89 të Kodit Penal.
Vendimi i Gjykatës i formës së prerë ka filluar të ekzekutohet nga strukturat përgjegjëse të Shërbimit të Provës dhe Policisë së Shtetit.
Punonjësi i Policisë, në kushtet e depresionit për penalitetet që sjell vendimi i dënimit të formës së prerë që e kushtëzonte në të ardhmen me ndërprerjen e marrëdhënies së punës me Policinë e Shtetit, është vetëvrarë me armën e shërbimit në ambientet e zyrës së punës, në Komisariatin e Policisë Durrës.
Për këtë ngjarje është krijuar një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë.
Për këtë ngjarje është njoftuar dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
Në lidhje me rrethanat dhe për sqarimin përfundimtar të motivit, do të kemi njoftim shterues në përfundim të veprimeve hetimore paraprake“, njoftoi policia.