Frrok Çupi/

Mbase nuk është e lehtë të shënjohet, por efekti “Donald Trump” ushtrohet fuqishëm në Tiranë. Akti më i fundit: Dje kur kryeministri i Shqipërisë deklaroi se do të dorëzohej në duar të Kremlinit, në fakt ndodhej nën këtë efekt. Kryeministri , i shpallur shpejt armik i Trump, tani nuk ka më hapësirë. E la Hillary, e la Soros, e la Podesta- natyrisht- sepse lanë edhe veten. Këtij i tha mëndja se do të gjente “vrimë” në Berlin. Edhe këtu  e dëbuan. Europa e majtë po shkërmoqet; dje Holande doli nga radhët- i pari president i Francës që tërhiqet para kryeministrit të vet… Ky i këtushmi si dhe gjithë “liderët e moçalit” nuk kanë rrugë tjetër, ose në Kremlin…

Ja, ky është efekti.

Efekti Trump ka mbërritur në Tiranë në dy pamje dhe në dy kohë:

E para, më parë se vetë Donald Trump të shpallej president i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara. Zyrtarët e shtetit, domosdo, shumë politikanë ose shumica- të themi; intelektualë kokëbosh dhe barcaletaxhinj, u mblodhën mënjanë dhe vunë dorën në zjarr se Trump nuk fiton. Këta ishin përgjithësisht njerëz të regjimit të vjetër komunist ose të të nomenklaturës së re. Këta kanë pasur rastin të lidhen me Clintonët dhe financuesit e tyre Soros, Rothschildë, Morganë, etj; dhe prandaj e kishin marrë infeksionin e të “pa dorëzueshmit”. Edhe vetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Lu, me sa duket nuk besonte se Trump do të jetë…

E dyta, pamja pas mëngjesit të datës 9 nëntor. Më i guximshmi kishte qenë një shofer taksie, që mbante prej muajsh në xhamat e makinës portretin e Donald Trump si president. Besoj e keni parë rrugëve të Tiranës; edhe kur nuk kishte pasagjerë vinte rroull veç për ta “shumëfishuar” Trump-in në sytë e atyre që e donin dhe që nuk e donin. Përgjithësisht kjo klasë, që në Amerikë zoti Trump e thërriti përsëri “klasa punëtore”, kishte perceptuar se do të fitonte Trump. Këtu, edhe ata që vlonin në shpirt “të fitojë Trump” nuk kishin guxim ta thonin. Frika ishte sa nga politika, aq edhe nga pijanecët e rrugës që bëjnë sikur dinë politikë…

Këto ishin të dy  palët dhe njëra kohë.

Koha tjetër, pas mëngjesit të datës 9 Nëntor. Kjo  është tani; që nga ai minutë e këndej.

Efekti Trump që në atë minutë është shumë më i gjerë, por nuk është buçitës. Buçitja nuk mund të ndodhë, sepse për të qenë buçitës duhet të ishte në favor të Qeverisë. Qeveria, sidomos kjo tanishmja, e njeh mirë artin e propagandës dhe të lustrës. Po të kishte fituar Clinton, në veshët tanë do të kishte rënë tërmeti, nuk do të kishin pushuar këngët në shesh, paratë në hava, gjethet e vjeshtës do të ishin shkundur, sheshi Nënë Tereza do të ishte mbyllur për gjithë vitin… Por nuk pritet lustra dhe as buçitje; sepse ka fituar Trumpi- kundërshtari i “moçalit”. Domethënë ka fituar ndryshimi; dhe këta nuk e duan këtë fjalë.

Ja pra, tek erdhëm te një efekt i fuqishëm i Trump-it në Tiranë.

Këtu pushuan veshët e njerëzve, sepse fitoi Trump. Këtu qeveria nuk hyri dot në detin e shpenzimeve për festën, sepse fitoi Trump. Inat i të keqit kundër dikujt, si në rastin konkret që këta nuk e duan Trump-in, kthehet në vlerë shumë pozitive. Nuk e duan e nuk e durojnë jo veç për faktin se kryeministri, u ngjit “majë plehut” dhe i tundi gishtin Amerikës post- Trump. Jo,  idiotësitë nuk shënohen gjëkundi, veç në bisedat e kafeneve. Megjithëse edhe në kafe po gjykojnë mbi  ndryshimet botërore dhe Amerikën e pas 9 Nëntorit…  Kafenexhinjtë presin të ketë punë; përsëri një efekt tjetër i Trump në Tiranë.

Efekti i Trump i ka mbledhur si në gji të dy krahët e politikës:

Opozitën e ka bërë që “të tërhiqet” dhe të mendohet pse nuk e kishte pritur fitoren e Trump. Arsyet ishin si kudo: Podesta, Sorros, Hillary…, kishin rrethuar Opozitën dhe e ndillnin pas vetes  me dy thërrime. Opozita nuk ka folur akoma se si do t’i ngjajë “erës” Trump. Edhe kjo është e vështirë, sepse opozita Trump ishte jashtë establishmentit, madje edhe jashtë partisë së tij. Ndërsa opozita këtu është establishment në kockë…

Ana tjetër e politikës: Pala qeveritare është tërësisht në “drogën” e  Trump.  Është trullosur dhe nuk di çfarë bën. Por të paktën nuk kërcënon popullin dhe opozitën si më parë. Qeveria, të paktën, nuk shetit dorëpërdorë me ambasadorin e Amerikës dhe me ambasadoreshën e Europës, me të cilët kërcënonte demokracinë. Këta jetojnë me epokën e Hysni Kapos në Vlorë; dikush i tha udhëheqësit “nuk dua gjë tjetër në jetë; të më shikojnë krah teje e të vdesin nga frika”… Qeveria nuk po sjell aq shumë avionë droge. Qeveria të paktën, ka dërguar nëpër botë kasnecë të parave që të mund të fshehin sa të mundin nëpër banka fantazmë… megjithëse nuk kanë shumë shpresë. Qeveria, është aq e trullosur, saqë ka nisur ta quajë veten pjesë të Kremlinit dhe Sirisë që mund të kërcënojë Europën… por edhe ky efekt i Trump-it është. Duan të provokojnë presidentin e zgjedhur të Amerikës. Sa shpesh e bëri administrata e vjetër këtë taktikë në Amerikë kundër zgjedhjes së Trump. Aty vetëm Soros që financon këta tanët, ka paguar mijëra njerëz që të thonë se Trump “do t’i çajë në bark gratë myslimane”. Edhe këta tanët, të njëjtin kërcënim bëjnë, veçse në invers. Tërësisht nënë efektin e humbjes para Trump.

Epoka e re e Trump është epoka e reales, e ndryshimit dhe revolucionit. Po zgjohen popujt, po zgjohen dhe nuk pranojnë më parullën idiote që kanë pranuar një ditë më parë. As shqiptarët, as francezët, as italianët, as anglezët, as gjermanët, as bullgarët e rumunët…, nuk pranojnë më.

Efekti i Berlinit; edhe i Romës, edhe i Parisit.., vjen në Tiranë bashkë me doktrinën. Këta nuk kanë nga shpëtojnë prej “erës” Trump.

/VERITAS.COM.AL/