Ekonomia shqiptare  është e  qëndrueshme. Ky është vlerësimi i bërë nga Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit Moody’s Ratings, e cila ka rikonfirmuar vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në “Ba3” ose  me perspektivë “të qëndrueshme”.

Ky rikonfirmim i vlerësimit nga Moody’s është një tregues mjaft i rëndësishëm pasi jep sinjale pozitive për investitorët ndërkombëtarë dhe mbështet objektivat strategjike të integrimit të vendit në Bashkimin Europian.

Moody’s thekson se  rritja reale e PBB-së prashikohet 3.7% për vitin 2025 dhe 3.5% për vitin 2026, duke u nxitur kryesisht nga konsumi i fortë vendas dhe investimet në infrastrukturën e turizmit dhe energjisë. Ndërsa sektori i turizmit do të vazhdojë të mbetet kontributor i rëndësishëm në rritjen ekonomike, duke përmirësuar eksportet e shërbimeve dhe investimet në ndërtim.

Moody’s vlerëson trendin pozitiv të borxhit publik që ka rifilluar rënien që prej vitit 2022,  duke rënë  në 54.2% në vitin 2024 nga piku prej 74.1% në vitin 2021. Agjencia parashikon që borxhi publik të arrijë në 53.5% të PBB-së në vitin 2026, e mbështetur nga rritja e fortë ekonomike dhe suficiti primar fiskal.

Sipas Moody’s Shqipëria do të vazhdojë të përfitojë nga financimet e BE-së dhe zbatimi gradual i reformave të lidhura me sundimin e ligjit, masat kundër korrupsionit dhe mirëqeverisja  që do të shërbejnë për të përshpejtuar procesin e bisedimeve për anëtarësimin.

Pak kohë më parë edhe Agjencia Ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit “Standard & Poor’s” ka konfirmuar gjithashtu një perspektivë “të qëndrueshme” për ekonominë shqiptare.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *