Nga Enkel Demi

Kanë qenë të shumta reagimet ndaj intervistave të fundit televizive të Xhisela Malokut, ku në shënjestër të kritikave të ashpra janë vënë dy gazetarët; Eni Vasili dhe Blendi Fevziu. Madje, në njërin prej këtyre reagimeve komentatori shprehte pa ekuivok dëshirën që t’u hynte nje herë vendçe të dyve.

Natyrisht, nëse debati do të ishte mbi teorinë e etikës profesionale ka shumë gjasa që argumentet atyre që janë kundër transmetimit të këtyre intervistave të qëndrojnë po aq shumë, sa dhe argumentet që janë pro daljes së tyre në ekran. Por, këtu flitet për zhvillime të tjera. Fjala vjen, e do apo nuk e do Mero Bazen, atë nuk mund ta anashkalosh dot, sepse mprehtësinë e ka armën e tij më të zhvilluar. Sipas tij, nëse vajza e dhunuar është marrë peng nga mafia, mediat që e intervistuan a nuk janë të kapura nga mafia?

Qysh në krye duhet pranuar që për një argument të gjithë palët merren vesh me sho-shoqin; vajza është e dhunuar. Dalja e saj në intervistë tronditi ujët e ndenjur të gjirizit, ndaj ka shkaktuar këtë tollovi. Ajo duke përgënjeshtruar me shumë mund vetveten, madje duke marrë përsipër një vepër penale si kallëzimi i rremë, rrëfeu sheshit që është e marrë peng dhe tjetër kush po e lot sikur me qenë marionetë. Nëse ajo nuk do të kishte dalë në televizor dhe Eni nuk do të ishte profesioniste, atëherë ne nuk do e kishim parë këtë tragjedi njerëzore, nuk do e kishim njohur, por do të flisnim në tym, derisa të shuhej ngjarja. Ajo na tha dhe ca të vërteta të mëdha që duhet të trondisin gjithkënd.

E para, dhuna ndaj grave është kthyer në sistem. Mero Baze që dikur e akuzonte në vetë të parë Edi Ramën si dhunues i grave të familjes së tij, nuk e vë në dyshim aq i mençur sa është, që dhuna ndaj gruas, ndaj të dobëtit tashmë është sistem jo vetëm politik, por mbi të gjitha moral. Xhisela është dëshmia e gjallë dhe më e pakundërshtueshme e kësaj.

E dyta, ajo pranoi se nga xhelozia ka ngrënë edhe ndonjë shpullë. Flakaresha na del pas këtyre intervistave krejt e amnistueshme, sepse shpulla nuk quhet dhunë, pasi vjen nga xhelozia, prandaj dhunuesin prokuroria e akuzon vetëm për përndjekje. Një shpullë nuk është asgjë në mentalitetin shqiptar, nëse ja jep fëmijës, gruas, motrës, nënës, gjyshes, fqinjes, shoqes. Një shpullë është e çë pastaj? Është sistemi moral i Edi Ramës që e mbron shpullën.

E treta, vajza pranon dhunën verbale. Për shembull, nëse dikush të thotë me pisqollë në dorë “Të marr shpirtin!”, këtë një prokuror i “shkathët” ta quan dhunë verbale dhe jo kanosje. Gjëra që ndodhin janë në këtë sistem politik të Edi Ramës.

E katërta, vajza ka humbur 12 kilogramë, sepse kuptohet që nuk është vetëm e stresuar, por i kanë kallur datën sa nuk i shkon gjë poshtë. Përveç Jozefina Topallit askush nuk merret me këtë gjë. Ministria e Shëndetësisë që mbulon dhe punët sociale hesht si sistemi i shefit të madh.

E fundit, ajo tha që erdhi me taksi, por Anila Hoxha na tregoi krejt të kundërtën. Këtu dalim tek argumenti i Mero Bazes që a janë të marra peng nga mafia mediat që nuk e fshehin një të marrë peng? Po mirë, vajza është e marrë peng dhe mediat po ashtu, po qeveria përse nuk e lëviz gishtin ta shpëtojë nga pengmarrja vajzën? Përse e lejon që ajo me “taksi” të shkojë sa në një studio në tjetrën? Sistemi i qeverisë së Edi Ramës që plas në burg fakirin, se nuk paguan dritat, përse është kaq i leqendisur ndaj “taksistëve” të Xhiselës. Fatmir Xhafaj është vetëm teleshikues që me telekomandë veç sa ndërron kanalin?

 

Nëse Eni dhe Fevziu nuk do të kishin bërë këto intervista, ne nuk do të kishim marrë kurrë në botë këto reagime që kemi sot, të cilat kanë kaluar caqet e preferencës politike. Nuk do të kishim atë shoqëri civile që e konsideronim deri dje aleate të qeverisë, e cila çuditërisht po i qëndron përballë. Vini re reagimet e Mirela Arqimandritit, Neli Demit deri tek Kristi Pinderi. Nuk do të kishim aq shumë gazetarë, opinionistë, qytetarë, njerëz të thjeshtë, të cilët sot me guxim po i qëndrojnë përballë një klani, një fisi politik, i cili i ka vënë thonjtë në grykë pushtetit. Falë këtyre intervistave pengmarrësit kanë humbur qetësinë. Përse Rexhep Rraja duhet të kërcënonte Lulzim Bashën sapo doli nga salla e gjyqit? “Ka për ta parë Lulzim Basha në zgjedhje!”. Kështu tha ai. Sepse, me atë akuzë që ka është i bindur se jo vetëm do të dalë shpejt, por do të jetë aktor në zgjedhje. Nëse bëjmë naivin, përse një njeri i këtillë është i interesuar për zgjedhjet? Ilir Babaramo thotë: “…sepse me votat e rrahmanëve janë sot në pushtet rilindësit”. Në fakt, nuk duhet ndonjë analizë e madhe apo njohje zgjedhjesh ta kuptosh këtë realitet. Në raportin e OSBE-së për zgjedhjet e fundit thuhet që 20.6 për qind e votave janë tjetërsuar. Bëhet fjalë për 700 mijë vota që rexhepët i kanë blerë, vjedhur apo tjetërsuar për llogari të Edi Ramës. Intervistat me Xhiselën na hapën edhe këtë bela, turbulluan ujërat edhe në këtë drejtim. Po, more po, nëse e lë Edi Ramën në këtë gjol me ujëra të ndenjura, me këtë status quo, padyshim që i fiton prapë zgjedhjet sot, nesër, pasnesër, përherë. Jo Lulzim Bashën të ketë përballë, por Rambo 1,2,3,4,5 ai ka për t’i mundur të gjithë. Rexhepët, rrahmanët dhe gjithë trimat do shkojnë e do i blejnë prapë, prandaj ata shpallin besimin e tyre në derë të sallës së gjyqit.

Natyrisht, këto intervista janë shfaqja më e gjallë e një tragjedie të neveritshme, por të cilën shqiptarët e meritojnë ta shohin nga fillimin në fund, pasi i nxjerr një pjesë të mirë të tyre legena. Pse, mos janë njerëz të lartë ata që punuan gratë dhe të fejuarat në semaforet e Perëndimit? Po ata që trafikuan shoqet, fqinjet, kushurirat dhe me paratë e tyre na shfaqen si sipërmarrës? Pse nuk janë legena ata gjyshër që mbikëqyrin arat me hashash të nipërve? Po ata prindër legena që krenohen dhe u punojnë paratë fëmijëve trafikantë, skiftera apo vrasës? Pse nuk janë legena ata burra që rrinë papunë, kurse gruaja shkon te fasonisti punon gjithë ditën, në darkë merret me fëmijët, bën për të ngrënë dhe ata në fund i fusin një dru. Nuk janë legena ata tipat e “fortë” që u u nxijnë syrin dashnoreve në makina luksoze? Por, legena janë dhe ata etër që shesin vajzat për nuse Serbie për një grusht paresh. Legena janë dhe ata që shesin votën për thesin e miellit, në mënyrë që ai që ua blen të vijë pas ca kohe dhe t’u përdhunojë vajzën.

Ja këtyre legenave Xhesila u prishi punë. Ashtu si dhe i prishi punë qeverisë. Çfarë reagimi pati qeveria pas intervistave? Vetëm një; Edi Rama propozon një ligj kundër shpifjes. Të jeni të sigurtë që projekti i tij do jetë i mbushur ding me fjali të marra nga Kodi i Etikës së gazetarit, por qëllimi është i thjeshtë; do të kërkojë t’u mbyllë gojën atyre që thonë të vërtetën, do të kërkojë që mos të dalin më kurrë në ekranet shqiptare histori si të Xhiselës.

Prandaj, ia vlejti Eni dhe Fevziu kësaj here.(27.al)

Veritas.com.al/