Ermal Meta dhe Fabrizio Moro, me këngën e tyre “Non mi avete fatto niente” (Nuk më keni bërë asgjë”, janë fituesit e Festivalit të “Sanremo”-s në Itali.
“Non mi avete fatto niente” rrezikoi t’i përjashtonte nga konkurrimi dy kantautorët në bazë të akuzave për plagjiaturë të një kënge të prezantuar në “Sanremo”-n e të rinjve të vitit 2016, nën interpretimin e Ambra Calvanit e Gabriele De Pascalit, por gjatë konferencës për shtyp para medieve, Fabrizio Moro tha se këngën në fjalë e kishte shkruar po ai dhe risjellja e tekstit të saj nëpërmjet produksionit të sivjetshëm ishte një rikthim i vlerave që nuk duhet të harrohen.
Pas vlerësimeve, edhe “Rai” doli në përfundimin se kënga mund të vazhdonte garën, nga e cila dy artistët dolën triumfues. Ndërkohë që në vendin e dytë u pozicionua grupi “Lo stato Socciale” dhe në të tretin këngëtarja “Analisa”.
Kënga është një himn kundër terrorizmit dhe në tekstin e saj përfshihen shumë raste të ndodhura në të shkuarën, por që lajtmotiv mbetet vargu “nuk më keni bërë asgjë”, që përbën edhe titullin e saj.
Tanime është publikuar edhe videoklipi i këngës, që ilustron në imazhe qytetet e rrënuara nga bombardimet, homazhet e njerëzve në vendngjarje dhe fëmijët e vegjël, si simbol i mosmposhtjes.
Veritas.com.al/