Nga: Veritas.com.al/

Agjencia BalkanWeb në Tiranë sot në ora 12.04, ka transmetuar një lajm me titull: “Rishfaqet Orban, mik i Berishës. Kryeministri i Hungarisë akuzon Ramën”.

Në lajm citohet:

“Kryeministri hungarez Viktor Urban ka kritikuar qeverinë shqiptare se ka ndërhyrë në punët e brendshme të Maqedonisë.  Gjatë një vizite zyrtare në Shkup, Orban e quajti të papranueshme çdo ndërhyrje të brendshme në politikën e ditës në Maqedoni”.

Ky është teksti, pavarësisht se i shkruar në mënyrë të pa-shqipërueshme.

Por sidoqoftë, pas lajmit të BW, shtrohet pyetja: “Vallë në sa kopje është ky Ivanov, president i Maqedonisë?”. Të jetë Ivani i Tmerrshëm, i cili jetoi në kohë pa pikë interneti, edhe mund të besohej se në të njëjtën kohë të ndodhet në dy vende… Por jo Ivanovi i Maqedonisë, vendndodhjen e të cilit e tregojnë mjetet e kohës në sekondë.

Po sot, në ora 11.32, “KosovaPress” transmeton lajmin se “Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov nuk do të takohet me Eurokomisarin Johanes Hahn, njoftojnë nga kabineti i Presidentit, duke shtuar se Ivanov i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Hungari do të kthehet sonte vonë, kështu që nuk ka mundësi që të takoj euro-komisarin Hahn”.

Por as vetë zoti Viktor Orban, kryeministër i Hungarisë, nuk ndodhet në Shkup; dihet dhe është njoftuar nga mediat se ai po qëndron në Budapest me mysafirin e tij nga Maqedonia, Ivanov.

Dje mediat ndërkombwtare kanë njoftuar se Presidenti i Maqedonisë u nis për në Hungari ku do të bisedojë me kryeministrin Orban.

Sot, në ora 12.04, teksa ndodhet në Budapest, sipas medias BW del që është në Shkup të Maqedonisë. Kur nuk besohet se Ivanov të jetë në dy kopje, vallë si mund të besohet vërtetësia e lajmit se “Ivanov tha kështu…” dhe se “Orban tha ashtu…”.

Punë e medias, por punë e Fake Media.

/Veritas.com.al/