Nga Vladimir Muçaj:
Pushteti i gjatë nuk të forcon – të konsumon. Të mpin ndjeshmërinë, të errëson arsyen dhe, në fund, të shndërron në atë që dikur e kritikoje vetë. Kjo nuk është teori, por realitet që përsëritet sa herë pushteti zgjat më shumë se sa duhet.
Në letër kemi shtet, institucione dhe ligje. Në praktikë, shpesh kemi një administratë që funksionon me dy standarde: një për qytetarët dhe një për “të fortët” e sistemit. Dhe pikërisht këtu nis problemi real.
Po, ka profesionistë. Ka vajza e djem, gra e burra që e njohin punën dhe përpiqen ta bëjnë siç duhet. Por janë pak. Shumë pak. Dhe zakonisht të heshtur, të shtypur nga një realitet ku nuk mbijetojnë më të mirët, por më të lidhurit.
Sepse në shumë zyra shtetërore ligjin nuk e bëjnë më rregullat – e bëjnë individët. Të paaftë, të komanduar nga politika, të vendosur përmes miqësive, lidhjeve familjare apo interesave të errëta. Në rastin më të keq, të mbështetur nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me shtetin, por shumë lidhje me ndikimin.
Dhe kur kjo ndodh, zyra nuk është më shërbim – bëhet mundësi. Mundësi për përfitim, për pazare, për abuzim me detyrën. Në disa raste, edhe më keq: vend ku shpërdorohet pushteti në forma që cenojnë dinjitetin njerëzor.
Ky nuk është më thjesht problem administrativ. Ky është degjenerim.
Ndërkohë, narrativa zyrtare flet për shtet të ndërtuar, për rregull, për barazi para ligjit. Por qytetari e di shumë mirë diferencën mes asaj që thuhet dhe asaj që përjetohet çdo ditë në sportel, në zyrë, në korridoret e institucioneve.
Po a është kjo një histori vetëm e një force politike? Jo. Në thelb, modeli ka qenë i njëjtë. Kushdo që ka pasur pushtetin, në shumë raste, ka rënë në të njëjtat gracka: klientelizëm, arrogancë dhe kapje të administratës.
Ndryshimi? Më shumë në formë sesa në përmbajtje.
Dikur ishte më e hapur, më brutale. Sot është më e rafinuar, më e paketuar, më e shitur si “sukses”, “zhvillim”, “mirëqenie”. Por kur heq fasadën, thelbi mbetet i njëjtë.
Sepse problemi nuk është vetëm kush qeveris. Problemi është si qeveriset.
Dhe derisa administrata të mos ndërtohet mbi meritën, përgjegjshmërinë dhe frikën nga ligji – jo nga partia – çdo premtim për shtet funksional do të mbetet thjesht një slogan i bukur.
Komente