Nga: Agim Xhafka

Sa mbarova universitetin më çuan mësues në Velçan të Gorës. Një fshat në këmbë të malit të Lenijes, kufi me Gramshin, pa rrugë makine, me drita dy-tre orë,pa televizor, por kish një telefon me rrotullim doreze veç me Lozhanin. Në dimër borë e qamet sa qëndronim dhe një muaj pa zbritur në Korçë.

Në këtë humbëtirë kishte njerëz të mrekullueshëm dhe një varfëri vrastare. Edhe bukën, edhe vezët, edhe pak djathë e ca fasule i sillnim nga qyteti !!!

Pas mësimit nuk shtynim dot ditën. Dhe i vetmi vend ku mund të rrije ishte kasollja e rojeve. Atje ishte telefoni që lidhej me lokalitetin ndaj ata që ruanin magazinën e misrit dhe të lopatave merrnin dhe porositë që çonte pushteti me telefon.

Ishte një bythëvend, as 2m x 2m. Por futeshim nja dhjetë veta e lihej dera hapur të dëgjonin dhe ata jashtë. Roja i ditës quhej Sani. Nuk ishte i moshuar, por i pa ushqyer, me vetëm një dhëmb të dalë mbi buzën e ngritur e me qurra që i fshinte me kurrizin e dorës,të detyronte ta thêrrisje xha Sani. E ngaqë ishte “pronar” i kasolles fliste veç ai. Tregonte gomarllëqe, broçkulla, gënjeshtra, por nuk e kundështonte kush. Se nesër ai nuk e qaste, e linte jashtë në dëborë. Ndaj shihja që dhe Bert doktori e aprovonte çdo marrëzi të tij. Një ditë na tregoi se në Qafë-Kërrabë, në një tunel u gjetën gjallë ca ushtarë italianë. Që nga lufta për 40 vjet ata u ushqyen me biskota e një curril uji që për fat rridhte aty. U pataksën shumica. Në vend ta merrnin me dru xha Saniun filluan pyetjet se ku laheshin e ku dhisnin italianët. Mendova se po të rrija gjatë në atë fshat do besoja tek xha Saniu siç të tjerët në atë kasolle. Më zuri frika e më kapi ankthi.

Qysh atëhere kanë kaluar dekada. Por sa herë shoh “Opinion” ai emision më duket si kasollja e Velçanit, plot dallkaukë dhe Fevziu si xha Saniu. Fiks. Ka ndryshim në veshje e drita, por mendja njësoj. Broçkulla, rrena, gomarrllëqe e vazhdojnë deri sa vjen mesnata. Pastaj ikin të flenë.

Kështu dhe qëmoti. Ngopeshim me dërrdërre e përrpërre dhe ngriheshim. Iknim.

-Natën e mirë, xha Sani! Na kënaqe!-i thoshim.

Nuk e shihnim kur largoheshim se do të na ngelej në sy dora e tij që fshinte rrëkezën e një qurreje që i zgjatej, por që ai e përfshinte vërtik dhe e ngjishte ndër pantallonat plot andra…

Veritas.com.al/