Pak ditë më parë juristi i njohur Niazi Jaho festoi 101 vjetorin e lindjes së tij. Edhe pse pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, pas çlirimit të vendit (1956) ai u godit nga regjimi në fuqi. Duke patur parasysh kontributin e tij sidomos në fushën e drejtësisë menduam të zhvillojmë me të një intervistë që ka të bëjë kryesisht me zgjedhet e 11 Majit. Me një karrierë të gjatë si kontribues në fushën e së drejtës, Niazi Jaho flet sot për ‘Java News’, duke ndarë vlerësimet dhe reflektimet e tij.

BISEDOI ARDIT RADA / JavaNews

Z. Jaho, nisur nga shkrimet dhe intervistat tuaja të mëparshme të argumentuara dhe objektive, do të dëshironim të shfaqnit ndonjë mendim lidhur me zgjedhjet e 11 Majit?

Këto zgjedhje mendoj se janë të një rëndësie të veçantë dhe do të dëshiroja të ishin të qeta, të ndershme, të drejta dhe të standardeve që kërkohen. Por është për të ardhur keq që gjuha e urrejtjes dhe polarizimi vazhdojnë.

Meqë problemet e zgjedhjeve janë komplekse dhe në kuadrin e një interviste vështirë të paraqitet një tablo e përgjithshme, duke marrë shkasë nga angazhimet e marra të kandidatit për deputetë të PS-së, i cili trajton dhe temën e drejtësisë, a mundeni të shprehni ndonjë mendim? Për këtë u njohim paraprakisht me fletë-palosjen ku pasqyrohen këto angazhime.

Pasi u njohëm me angazhimet e kandidatit që përmban fletë-palosja e Fatmir Xhafës ku pasqyrohen disa angazhime, mund t’ju shpreh këto mendime. Ai iu thotë zgjedhësve: nëse ju do të votoni për mua dhe unë do të zgjidhem deputet, ju premtoj se në interesin tuaj, në mënyrë të veçantë do të kontribuoj në realizimin e këtyre prioriteteve. Është e kuptueshme që kandidatura e tij dhe angazhimet që ai parashtron do të vlerësohen vetëm nga votuesit.

Sipas jush ç’ndryshim kanë angazhimet nga programi i Partisë Socialiste?

Kam mendimin se programi i çdo partie politike (subjekti zgjedhor) do të duhej të ishte dimensional, analitik, i detajuar me synim perspektivën për një periudh të caktuar. Në këtë vështrim, meqenëse e morëm si shembull më sipër, kandidati Fatmir Xhafaj, edhe pse në frymën dhe zbatimin e programit të partisë së vet, në angazhimet që ai merr para zgjedhësve trajton disa çështje që sipas tij, kanë pritshmërinë dhe ndjeshmërinë e shtetasve në tërësi dhe që janë lehtësisht të kapshme.

Cili do të ishte vlerësimi juaj i përgjithshëm për angazhimet që përmban fletëpalosja me të cilën jeni njohur?

Mendoj se ato janë formuluar në mënyrë konkrete, koncize dhe të qarta. Në këtë vështrim në to nuk mund të bëhen analiza. E rëndësishme se ato përmbajnë problematika që sipas tij i përgjigjen kërkesave të votuesve.

Po vlerësimet tuaja për angazhimet konkrete cilat do të ishin?

Së pari, me të drejtë Xhafaj i kushton rëndësi të veçantë reformës në drejtësi. Ai e konsideron të domosdoshme konsolidimin e saj të mëtejshëm. Kjo mendoj se është edhe arsyeja për të thënë se ajo duhet të ketë vazhdimësi. Sepse beteja kalon në një proces që nuk është i lehtë duke patur parasysh edhe pritshmërinë e madhe që publiku ka për të. Në këtë vështrim kërkohet vendosmëri, mbështetje dhe koordinim të organeve të reja të drejtësisë me institucionet e tjera shtetërore. Për prokurorët dhe gjyqtarët veç rritjes së tyre profesionale është e rëndësishme sidomos integriteti i tyre. Së dyti, Xhafaj i kushton rëndësi të veçantë gjithashtu nevojës për një qeverisje të mirë që duhet të shtrihet në të gjitha hallkat e administratës publike. Në këtë aspekt, sipas tij, do të duhej të intensifikoheshin masat për kontrolle më të thelluara, monitorime të vazhdueshme, si dhe rritjes së llogaridhënies. Në këtë angazhim theksohet nevoja për të mos hezituar në marrjen e masave ndëshkuese kur ka raste të shkeljes së ligjeve si dhe denoncimeve në organet përkatëse të ndjekjes penale kur ka të dhëna për elementë të kësaj apo asaj vepre penale. Ndjenja e përgjegjësisë të çdo punonjësi të kësaj administrate kërkon gjithashtu masa për një pregatitje profesionale të standardeve që kërkohen si dhe reflektim të shkeljeve që vërtetohen. Së treti, ai ka evidentuar nevojën e reformimit dhe mbështetjes të profesioneve të lira dhe të shtresave të mesme. Duhet pranuar se kjo është lënë disi pas dore. Për këto shtresa nuk ka patur vlerësimin e duhur, prandaj është e drejtë ajo që thotë Xhafaj se kjo kërkon përmirësimin e kuadrit rregullator, lehtësimin e procedurave dhe konsolidimin e bazës fiskale. Xhafaj në këto angazhime është ndalur në mënyrë të veçantë edhe në nevojën për të mbështetur dhe promovuar gjeneratën e re në politikë dhe karrierën profesionale. Kjo nuk mund të arrihet pa mbështetje ligjore dhe financiare, pa krijimin dhe zbatimin për këtë të programeve të posaçme. Në një tjetër angazhim të Xhafajt, veçohet kujdesi i veçantë që duhet treguar për kategorinë e të moshuarve që me të drejtë ai i cilëson “mosha e artë”. Të gjithë e pranojmë këtë, por jo vetëm e pranojmë, por edhe e ndjejnë se këta janë prindërit dhe gjyshërit e moshave të reja. Ky kujdes nuk duhet të ngelet në kuadrin e “deklaratave” dhe të “premtimeve inkurajuese”, por të bëhet realitet gjë që do të kërkonte mbështetje financiare. Me të drejtë Xhafaj evidenton nevojën për krijimin e “Fondit Social”. Një pjesë e të moshuarve edhe pse kanë dal në pension vazhdojnë që fizikisht të jenë mirë. Përse të mos u jepet atyre mundësia për të kontribuar aktivisht në komunitet dhe shërbime publike?! Ka prej tyre që kanë aftësi të veçanta profesionale në fusha të ndryshme. Kanë punuar me ndershmëri dhe sakrifica. Për këtë flitet por në faktë është bërë shumë pak.

Z. Jaho, duke qen se përmendet Z. Xhafaj dhe kontributet e tij si deputet në Kuvend a mund të na thoni dicka?

Kësaj pyetje mund ti përgjigjen më mirë hulumtuesit e veprimtarisë parlamentare. Por qytetarët, pra dhe unë, krijojmë përshypjet tona për këtë apo atë deputet, për qëndrimet, kontributin dhe sjelljet e tyre. Në këtë vështrim mund të shpreh diçka edhe për deputetin Xhafaj. Kjo është përshtypje që nuk përjashton elementët subjektivë. Kam ndjekur disa seanca të komisionit të ligjeve dhe të ndonjë seance plenare të kuvendit që si jurist me ka interesuar. Në raste të veçanta dhe për qëndrime të veçanta kam krijuar përshtypje pozitive për Fatmir Xhafaj që konsiston në pregatitje serioze dhe të argumentuara të diskutimeve të tij; qëndrime të ekuilibruara duke ju shmangur çdo llojë fyerjeje apo cënim të dinjitetit të kolegut sidomos kur ato kanë qenë të elektrizuara. Më ka bërë përshtypje fakti se ai respekton mendimin ndryshe edhe pse mund të mos jetë dakord me to. Madje, mund të them se ka patur seanca që unë kam ndjekur dhe më ka bërë përshtypje fakti se Xhafaj ka votuar sipas bindjes së tij pa u ndikuar nga të tjerët përfshi këtu edhe qëndrimet e kolegëve të grupit të tij parlamentar. Kjo, në fund të fundit është element i rëndësishëm i integritetit në përputhje edhe me pikën 1 të nenit 70 të Kushtetutës sonë.

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *