Misioni i radhës i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka përmbyllur vizitën. Në një konferencë për shtyp Ministri i Financave Arben Ahmetaj tha se ekonomia shqiptare po konfirmon stabilitet, ndërsa qeveria i mbetet besnike parashikimit për rritje 3.4% për vitin 2016. Kjo rritje do të jetë pozitive, sipas Ahmetaj pavarësisht ndonjë ndikimi nga faktorët e jashtëm.

 

Sipas Ahmetaj qeveria është e angazhuar në përpjekje për të ulur borxhin publik. Sipas tij për biznesin do të ketë thjeshtim përprocedurat tatimore dhe doganore, duke ruajtur performancën e qëndrueshme të të ardhurave. Ministri Ahmetaj sqaroi se kuadri fiskal po diskutohet me FMN dhe se Paketa e re Fiskale do të kalojë në qeveri për miratim brenda korrikut. Sipas tij hiqet frika e biznesit për rritje taksash dhe konsolidohet sistemi.

 

Ndërsa përfaqësuesja e FMN­së në Tiranë Anita Tuladhar tha se të ardhurat nga tatimet dhe doganat në përgjithësi janë në përputhje me parashikimet e bëra në buxhet, duke konfirmuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për reformat e ndërmarra. Sipas saj, FMN parashikon që inflacioni do të rritet në 1.8% deri në fund të vitit. Tuladhar la si detyrë përshpejtimin e vendosjes së tatimit mbi pronën. Nga ana tjetër tha se duhet të ketë përparim të reformave strukturore.

 

Përfaqësuesja e FMN­së tha se sfidë për qeverinë mbetet rishfaqja e detyrimeve të prapambetura në investimet publike dhe se duhet të përmirësohet zbatimi i investimeve.

 

Në lidhje me sistemin bankar u shpreh se është i mirëkapitalizuar dhe me likujditet, por kreditë nën standarde mbeten ende problematike edhe pse është ulur niveli i tyre.

 

FMN deri në fund të muajit gusht do të lëvrojë këstin e radhës prej 36 mln euro.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko gjatë fjalës së tij tha se banka ka qenë e angazhiuar me misionin e radhës të FMN, si dhe në përcaktimin e politikave mbështetëse për ekonominë shqiptare. Sipas tij ambienti i jashtëm nuk është shumë pozitiv për ekonominë e vendit.

 

Sipas guvernatorit ekonomia do të vazhdojë të performojë me pozitivitet dhe se plani konsistent mbështet politikat monetare. Ai tha se do të ketë përmirësim progresiv për rritmet e rritjes ekonomike.

Guvernatori theksoi se mbatja e inflacionit brenda objektivave do të jetë graduale dhe në periudhë afatmesme.

 

Sejko tha se bankat duhet të kenë qasje më pozitive ndaj kreditimit dhe se duhet të përshpejtohen reformat strukturore.