Nga: Ndoc Bushgjoka/
Ne sprovën e tij ” Mosmarrëveshja ” zotëri Ismail Kadare thotë:
” Në kodin zakonor shqiptar, një ndër më të ashprit e mesjetës, atij që nuk bënte anjë lëshim kur ishte fjala për ” ligështimin e burrit “…dhe ” kjo nyje e Kodit. ishte qe u mbështet mbreti Zog I, në vitet ‘ 30, për të bërë më kokëkrisurën reformë fetare në botë, duke i detyruar myslimanët shqiptarë që lutjet e tyre t’i kryenin në këmbë dhe jo në gjunjë, sipas ritit tradicional ” ! (Ismail Kadare ” Mosmarrëveshja ” faqe 240).
Por zotëria Ismail siç duket e paska harruar këtë nyje te Kodit shqiptar. Qenka ligështuar randshëm.
Kadare, pa asnjë arsye, qenka rrezuar perpara nje memuri. Paska rene ne gjunjë para një flokëkuqe qe ” s’vlen as për meze “, sic thoshte Noli.
E shikoj me dhimbje, i skuqur nga turpi atë skene, ku mjeshtri i madh i letrave shqipe, ka mbetur jesir i gjunjëzuar para një nëpunëseje vulgare.
Deshe te tregoheshe mik i një apo disa burokrateve. Mbase e di, apo te kujtohet përgjigja e Teopompit ndaj një te huaji, qe po i tregonte se sa shume i deshte spartanet dhe se e quante veten mik te Spartes:
– ” Do te ishte me mire sikur te doje qytetin tend ” – ju përgjigj Teopompi.
Pse re aq keq i nderuari Kadare !
Pse u zhburrnove, ne atë fare feje ?
– ” Kush zhburrerohet, bastardohet “, thotë i madhi Viktor Hygo. ( Hygo ” Te Mjerët ” Vellimi i III-te faqe 335)
Si pranove te zhburrnohesh, ne një moshe te tille, kur riburrerimi eshte pothuajse i pamundur.
– ” Quel temp, quel alarm ? ,- mund te pyesim me keto fjale te Kadarese nga ” Keshtjella Graks “. – Çfare alarmi, dhe kush te detyroi te biesh ne gjunjë ashtu pa lavdi !
Jo se nuk je rrezuar pa lavdi dhe here te tjera. Je rrezuar, dhe keqaz. Po ne , te perkushtuarit e letersise, te kulturës tone, kemi dashur t’i harrojmë.
Je rrezuar kur ke thënë te ” Ardhja e Migjenit “, për Fishten , Koliçin etj ” shkrimtaret katolike reaksionare “. E mban mend. Ishte fjale e rende shume ajo ! E mban mend se ç’ke thënë për At’ Gjergj Fishten te artikulli i ‘Zerit te Popullit’ ne vitin 1981? ‘Kultura shqiptare ne shënjestër te shovinizmit serb’? Ke thënë pa droje : ” Poeti reaksionar e shoven Gjergj Fishta “, dhe se ” ishte antiserbo-malazez shovinizmi i tij “. Këto janë te shkruara e zeza mbi te bardhe. Dhe janë një nga faqet me te zeza te letrave shqipe. Por ne përsëri deshëm t’i harrojmë. Dhe jo se origjina jote është nga po ajo rrugice, apo Sokak i te Marrëve, nga doli edhe ai kryemarri qe i vuri flaken veriut ne veçanti e kutures si krishtere katolike, por dhe Shqipërisë. Jo, ne deshëm ti harrojmë per hir te kulturës tone.
Nuk është hera e pare as e dyte qe vete Kadareja rrezon Kadarene. Te “Koha e shkrimeve ” ne faqen 39 , tallesh e gajasesh me Ahmet Zogollin, te Grushti i shtetit “. Fare mire. Është një tregim i bukur. Por nuk përton te shkelesh mbi Kadarenë dhe të besh pas shume vjetësh ” Një brilant per mbretëreshën ” dhe një himn për Zogollin, mbretin e hallvës e te salepit.
Tani a mund te besojmë se ti u gjunjëzove para asaj flokëkuqes, me ndërgjegje te plote, si europianist, si kozmopolit, apo si i krishtere. Jo ! Kushedi, po jetove me gjate, s’e ç’sebep do te nxjerrësh për atë veprim zhburrnues.
Ju keni deklaruar disa here se nuk keni qene disident. Kjo ju nderon. Sepse regjimi mizor i Sokakut te Marreve nuk lejonte as pipëtime disidence. Disidenca ne robërinë e tmerrshme është e pamundur. Por ju zoti Kadare nuk arritët as ne liri, te jeni zë disidence.
Pse ? Ku i dihet. ” Se çka end kjo mendja e njerit, / S’din kush gja, posë njatij t’ Mirit. / – shkruan At’ Gjergj Fishta. Pra ju e dini se pse dhe ç’alarm te detyroi te biesh ne gjunjë paburrerisht.
As sot nuk arrite te jesh disident, Zotëri Kadare. Nuk arrite te shohësh, as te kuptosh rënkimin e Vendit tënd. Te shikosh si e vjedhin. Si e grabitin. Si e kane helmuar me drogen. Si po i shpërngulin shqiptaret. Si po tallen shtypësit e te huajt, me ne. Nuk ke pare gjë fare nga ajo tragjedia me tri akte:- Grabitje, shpërngulje, mbytje te shpresës, qe po luhet ne Atdheun tënd. Po te kishe dëgjuar shpirtin e vendit tënd, do te qaje si Gurakuqi, dhe jo te rrezoheshe pa lavdi perpara nje memuri qe është pjesëtare e regjisures se tragjedisë. Por ti nuk qave, kur e shikon boten qe na qesh. Eh medet. Ti u rrezove. U korite, o burrë !
Kjo nuk do te thotë se do te braktisim. Do te vijmë ashtu thjeshte, te te japim dorën. Te ngremë ne këmbë. Se Shqipëria ka nevoje për ty. Siç ti ke nevoje me shume për Shqipërinë. Ke nevoje te ngrihesh përsëri ne këmbë.
Te mos rrish i përulur ne gjunjë para asnjë te huaji mekatar.
Se “Sublimen nga qesharakja e ndan vetëm një hap “, – thotë Napoleoni i madh.
‘A propos’, kur po flasim për Napoleonin, nuk mund te mos themi, si Taleirandi: “Zotërinj, është për te ardhur keq qe një talent i madh , te tregohet shpesh here një njeri i vockël “.
/Veritas.com.al/