(FOTO: Gazetari italian Dario De Luca duke marrë një çmim në gazetari)/
Gjatë një lidhje telefonike për “News24”, gazetari i njohur sicilian i “Meridionews”, Dario De Luca (në foto duke marrë një çmim të rëndësishëm të gazetarisë në Itali), ka thënë se Gjykata e Rivlerësimit të Katanias ka vendosur sot mos-ndryshimin e masës së sigurisë për 10 të arrestuarit e dosjes Habilaj, të akuzuar për trafik droge.
Gjykata la masën e sigurisë “arrest me burg” për të pandehurit, duke përfshirë edhe kreun e bandës, Moisi Habilaj.
I pyetur nëse bëhet fjalë për një Saimir të dytë apo për ish ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili përmendet ne hetime, gazetari italian, i cili po ndjek nga afër këtë çështje, tha se nga hetimet e deritanishme bëhet fjalë pikërisht për ish ministrin e Brendshëm.
Sa i takon kërkesës së avokatëve të Habilajt, të cilët kërkuan revokimin e masës së arrestit për të pandehurit, duke pretenduar se nuk ka prova për t’i mbajtur në burg, gazetari tha se prokuroria disponon prova që u vlerësuan në përputhje me këtë masë arresti.
Veritas.com.al/