Gazetari Adriatik Doçi tregoi në studion e “Euronews Albania” se si mbeti e paverifikuar dosja e Sali Berishës duke risjellë  në vëmendje rrëfimet e kryetarit të komisionit të verifikimit, Nazif Bezhani.

“Në pranverë të ‘98 kur u vu në funksionim komisioni për verifikimin, një grup fraksionist i shkon në zyrë kryetarit të komisionit, Bezhani dhe thonë se duam të verifikojmë Berishën se kemi dyshime se ka qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit dhe spiun i UDB. Bezhani u tha që nuk e bënte dot se nuk ja lejon ligji por ata i thanë se nëse nuk e bënte do të quhej bashkëpunëtor me spiunët.

Grupi fraksionist kryesohej nga Genc Pollo dhe Tritan Shehu. Ai hapi dosjet e tyre dhe kur ata erdhën sërish ditën tjetër për të kërkuar dosjen e Berishës, Bezhani u tha, dakord po ka shumë spiunë të sigurimit të shtetit siç janë ‘Trëndafili’ dhe ‘Sqepari’.

Kur dëgjuan këta dy emra ata ikën dhe s’u kthyen më dhe Berisha mbeti i paverifikuar sipas rrëfimeve të Bezhanit”, tregoi gazetari.

Ai tha se sipas asaj që tregonte Bezhani, kontrolli i të gjitha dosjeve ishte një punë voluminoze dhe shumë e vështirë.

Kjo është arsyeja pse edhe atëherë vetëm një numër shumë i vogël dosjesh është verifikuar dhe shumë dosje nuk janë gjetur.