Nga: Agim Xhafka/

Pas ca ditësh mbush 70 vjet ai që na mbushi një jetë me art,me emocion, me ngazëllim,hare,lot e trokitje zemre si breshër i rrëmbyeshëm. Mbase populli nuk e di kush është,nuk ia di fytyrën,të folurën a gjestet. Por ikonat e teatrit,vip-at e skenës të bëjnë të marrë po të shfaqësh mosnjohje për të. Robert Ndrenika,Roland Trebicka,Mirush Kabashi,Viktor Zhusti,Rajmonda Bulku,Mehdi Malka,Suela Konjari,Hervin Çuli,Elvira Diamanti…janë “balta” të cilën Gëzim Kame si baba Carlo e ktheu në Pinok,në personazhe të pavdekshëm.

Sot në botë njohin krejt regjisorët e Hollivudit,përmendin Polanskin,Spilbergun,Voodi Allen dhe për fat të keq tek ne këta zemberekë të spektaklit janë të fshehur,të mbuluar nga një tis i hollë harrese prej medias së pari e më pas prej një publiciteti të munguar.

Po mjafton të thuash se “babai” i shfaqjes “Shi në plazh” është Gëzim Kame e kaq të bën të ngrihesh zgupthi e të heqësh kapelen para këtij artisti kaq të madh. Ose të përmendësh “Sokratin” luajtur nga Mirush Kabashi e të ulërasësh, o njerëz regjisor i asaj shfaqjeje ka qenë Gëzim Kame, paçka se deri në afishe të shumta hera herës nuk iu shkruajt emri.

70 vjetori i këtij artisti është një rast i mirë per të treguar botërisht se ky regjisor ka qënë ndër më prodhuesit,por dhe ndër më konçizët. Ishte jo si verë tavoline,por si një pije e vjetër prodhuar në vreshtat e Francës. Plot shije,plot aromë,plot vlera sikur të dehte.

Jeta artistike e Kames nisi me ëndërrat në gjimnaz e vazhdoi me Institutin e Arteve. Student,aktor,pedagog,dekan. Një cikël,i plotë që nderon atë institucion. Shoh tek një dritare në një pallat buzë Lanës një mbishkrim:”Këtu ka jetuar artisti Naim Frasheri.” Sa mirë,them sa herë e lexoj. Se janë shenja të qytetërimit tonë. Kështu duhet të vendosë sot Akademia e Arteve një gdhendje:”Këtu ka dhënë mësim Gëzim Kame.” Se ai është si vatra e zjarrit,ka gatuar e ka ngrohur me mendjen dhe shijet e tij. Në Rinas ende blihet me shumicë “Shi në plaz”, një komedi me atmosfere e gaz pa fund,pa ngjyra të politikë së kohës e me një lojë mjeshtërore të artistëve. Po sa të tilla ka ky gjeni! Që nga “Mësuesi i Letërsisë”, “Fernando Krafti më beri një letër”, “Darka e të marrëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Pjata e drunjtë”,uf,u lodha së numëruari. E asnjë dështim,veç sukses,sukses,sukses…

Tani Gëzim Kame është mbledhur tek Teatri Kame në Ibë. Si iriqi që rri brenda ferrës. Ai hesht,por nuk rresht së menduari,së bëri plane. Natyra atje gëzohet se jeton mes tyre artisti që prodhoi artistë,”materniteti” artistik i aktorëve. Shokët e miqtë e tij janë të çdo fushe. Të artit e të shkencës,të diplomacisë e politikës. Edhe unë jam shok i tij prej vitesh e vitesh. Shoqëri që në themel pati skenën e më pas gëzimet per njëri tjetrin.

Sigurisht pas ca ditësh fshati Ibë do bëhet qendra e festimeve të ditëlindjes së tij. Si një lloj Kane apo Los Angeles ku ndahen çmimet. Do mblidhen artistë e artiste,shokë e miq. Që mjeshtërit do i urojnë u bëftë 101 vjeç. Unë do e bëja 102,por e di që ai edhe kur do na takojë e shohë në sy do ketë vështrim përtej se mendja i punon për dramën e radhës,për spektaklin që vetëm ai di si ta bëjë kaq të shijshëm me arra e lajthi Shqipërie,por dhe me erëza nga Kina,India e Spanja. Ndaj quhet art,se ka kaq shumë perzierje historie e personazhesh sa regjisori ua di radhën e i sjell si në avlëmend,ngjyrë pas ngjyre e fije për fije.

Gëzim,paç jetë të gjatë edhe për kënaqësinë time! Amen!

Vweeritas.com.al/