GfK, një kompani hulumtimesh dhe polle-sh, ka vrojtuar sjelljen e votuesve shqiptare në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme 2017.

GfK realizoi tre vrojtime të opinionit publik shqiptar në periudhën maj-qershor 2017.

GfK SE, e krijuar në vitin 1934 si Shoqëria Kërkimesh për Konsumatorë, është instituti më i madh  i kërkimeve në treg, dhe i katërti i llojit në botë, menjëherë pas ‘Nielsen Company’, ‘Kantar Group’ dhe Ipsos.

Vrojtimi më i fundit për fushatën elektorale të Shqipërisë u zhvillua në periudhën 15 – 18 qershor 2017. 996 votues, nga e gjithë Shqipëria, u pyetën përmes telefonit për subjektin për të cilin do të votojnë dhe preferencat e tyre partiake.

Partia Demokratike dhe ajo Socialiste, sipas GfK janë pothuajse në barazim mes votuesve, me një avantazh të lehtë të PD-së. Nga të dhënat e studimit, një javë para zgjedhjeve, Partinë Socialiste do ta votonin 31.1% e të intervistuarve dhe Partinë Demokratike 31.4% e të intervistuarve. LSI-në do ta votonin 6% e zgjedhësve, ndërsa PDIU-në 1.2% e tyre.

Vihet re një numër i lartë i të pavendosurve, votuesve që do të votojnë por nuk kanë vendosur ende se për kë do të votojnë, i barabartë me 20.3% të të gjithë të të intervistuarve.

Partia Demokratike ka përparësi mes të rinjve të moshës 18 – 34 vjeç, ndërsa votuesit më të shumë të Partisë Socialiste janë mbi 55 vjeç. LSI ka përparësinë më të madhe të saj në elektoratin e përbërë nga grup-mosha 23 – 44 vjeç.

Veritas.com.al/