Trupi i pajetë i një 48-vjeçarje të shtunën paradite është gjetur në një grykë në fshatin Mashqerraj të Malësisë së Madhe.
Ishin efektivët e forcave RENEA dhe të FNSH-së Shkodër ata që arritën të futeshin në vendin ku dyshohej se ishte vetëhedhur shtetasja Sh.H., duke bërë të mundur jo vetëm gjetjen e trupit por edhe nxjerrjen e tij nga vendi ku ishte hedhur 48-vjeçarja.
Në një deklaratë për mediat, policia tha se 48-vjeçarja ishte larguar nga banesa në mëngjesin e 24 dhjetorit dhe nuk ishte kthyer më. Ka qenë bashkëshorti i saj, ai që ka lajmëruar fillimisht policinë e zonës.
Me t’u vënë në dijeni në lidhje me ngjarjen, efektivët e komisariatit të Malësisë së Madhe në bashkëpunim me policinë e Shkodrës, nisën menjëherë kërkimet për gjetjen e saj.
Si rezultat i informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas kontrolleve në territorin e fshatit Mashqerraj në afërsi të një gryke (shpellë) u zbuluan telefoni i saj dhe një fletore.
Për shkak se terreni ishte shumë i vështirë, efektivët e policisë lokale e patën të pamundur të zbulonin trupin e saj dhe për këtë arsye kërkimet u ndërprenë, pasi pritej që në orët e para të së shtunës, të mbërrinin në zonë forcat RENEA dhe trupat e FNSH-së të Shkodrës, të cilët siç u hamendësua fillimisht nga policia lokale arritën të zbulonin dhe ta nxjerrin nga aty trupin e pajetë të 48-vjeçares.
Mësohet se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, po punon për të sqaruar me detaje motivet e kësaj ngjarjeje.