Në seancën e sotme në procesin ndaj Fatmir Mediut për dosjen “Gërdeci”, u paraqit si i thirrur nga SPAK Mihal Delijorgji, ish-administrator i kompanisë “Alba Demil”.

Delijorgji refuzoi të dëshmojë në gjyq duke shfrytëzuar të drejtën që i jep ligji si një person i dënuar më parë për këtë çështje. Më pas avokatët dhe prokuria kërkuan që të administrohen në dosjen gjyqësore dëshmitë e dhëna më herët prej tij si person nën hetim dhe i pandehur.

Edhe në këtë seancë, nuk u paraqit shtetasja Anjola Agolli, ish sekretare e ministrisë së Drejtësisë, Denis Hajdar dhe Luan Hoxha. Për Denis Hajdarin prokuroria kërkoi shoqërimin e detyrueshëm pasi ka marrë dijeni dhe nuk është paraqitur. Ndërsa për Anjolla Agollin e Luan Hoxhën të vijojë kërkimi.

Në seancë Fatmir Mediu i kërkoi Gjykatës të sqaronte vendimin që ka marrë për mënyrën e marrjes së dëshmive të shtetasve amerikan, me videokonferencë, ndërsa gjykata tha se deri më tani është në fuqi vendimi që dëshmia e tyre të bëhet me letërporosi. Seanca e radhës u caktua me 9 prill në orën 9.

Në përfundim të seancës ish-ministri  i Mbrojtjes Fatmir Mediu tha se nëse nuk pyeten të gjithë dëshmitarët e kërkuar nga SPAK, do të thotë se ata janë thirrur formalisht.