Gjykata Komerciale ka aprovuar padinë e Klan Kosovës për ta shtyrë ekzektuimin e vendimeve që ia suspendojnë licensën e biznesit. Ky vendim nënkupton masë të përkohshme, që garanton funksionimin e mediumit, deri në përfundimin e gjykimit të këtij rast.

Në Aktvendimin e publikuar sot nga Gjykata Komerciale thuhet se “APROVOHET si e bazuar kërkesa e paditësit Klan Kosova Sh.p.k., për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve”.

Ndërkaq është shtyrë vendimi i Komisionit të Ankesave të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i cili hodhi poshtë ankesën e Klan Kosovës për pezullimin e licencës së biznesit.

“SHTYHET ekzekutimi i Vendimit nr. 4566/01 i datës 28.07.2023 i nxjerrë nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve dhe Vendimit nr. 309/11 i datës 14.06.2023 i nxjerrë nga Drejtorja e Përgjithshme e Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve në Kosovë, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë e paditësi”.

Një nga arsyet e Gjykatës për këtë aktvendim përmenden ndryshimet që Klan Kosova tashmë i ka bërë në regjistrat e biznesit.

“Meqenëse në rastin konkret sipas certifikatave të përshkruara më lartë, rezulton se paditësit ka bërë ndryshimet në regjistrat e biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë, gjykata vlerësoi se shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese nuk bie ndesh me interesin publik”.

Poashtu, Gjykata thotë se mos-shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese do të ishte pikërisht në kundërshtim me interesin publik dhe garancioneve që përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë për lirinë e mediave./ Gazeta Express/