Nga: Agim Xhafka/

Pardje dhe dje mbi 200 mijë shqiptarë shqyen sytë mbi kompjuter për të parë në se do ishin fitues të lotarisë amerikane. Shumë syresh u gëzuan dhe nisën planet e ikjes,të largimit nga atdheu, farefisi, kujtimet, varret e brezave.  Me shumë gëzim, por dhe me nostalgji po nxjerrin valixhet e po mendojnë çfarë do marrin e çfarë do lenë.  Si Arka e Noes do jenë baulet e tyre. Me foto, relike, ndoshta një shishe me dhé nga toka që po e braktis me dhimbje,por nga halli dhe nga dëshira që fëmijët  të rrojnë si njerëz.

Amerika është vend shumë i pasur dhe shumë i bukur. I magjishëm në sy dhe plot mundësi për të mishëruar çdo ëndërr. Ndaj gëzohem me gëzimin e fituesve. Welcome in America!

Por më shumë u gëzova për ata që humbën,nuk u përzgjodhën dhe ngelën të jetojnë e punojnë në Shqipëri.  Se nuk mund të ikte Eioni,Vasili, Preçi, Gëzimi, Berti, Nikolla,Mirela, Zyhraja, Vjollca, Astrit, Blendi,… Janë qindra miq të mi që nuk u aprovuan e ata u mërzitën,por vendit iu bë mirë. Se këta që përmenda janë ajka e inteligjencës, janë më të shkolluarit.   Ata punojnë në poste mjaft të lakmuara për atë vend, janë drejtorë e menaxherë, biznesmenë e CEO në kompani të mëdha. Paguhen mirë dhe jetojnë mirë. Por duan të ikin se atdheu nuk është më Baba, nuk shfaq siguri e ngrohtësi, mbrojtje e shpresë.  Ai si një pijanec nuk do t’ja dijë për fëmijët. U merr paret nga portofolat e tyre dhe ikën e argëtohet me klikën e vet. Nuk i plas se si do rregullohet çatia, apo si do vihen xhama tek dritarja.

Këta njerëz u vrenjtën këto ditë, por shoqëria qeshi se nuk u largua truri,motori i progresit. Ndaj gëzohem që m’u realizua një lutja ime:”Amerikë, mos na e merr palcën e vendit se do thahet atdheu e nuk do na ngelet as emri!”

Në vjeshtë do ikin fituesit dhe sërish do nisin regjistrimet për lotarinë e re.  Mbi 200 mijë do jenë prapë, e kështu ndër vite deri sa një ditë, kur vendi do jetohet veç nga pleq,do kujtohet qeveria e asaj kohe të shpallë “Lotarinë Shqiptare”, një green card për çdo kinez, meksikan a brazilian qe të vijë të punojë e të jetojë në Shqipërinë pa shqiptarë. Një e vërtetë që dhemb, por që po e gatuajmë të gjithë, populli dhe banditët që na qeverisin hë për hë. E nga “Welcome “, do themi:  “Mirëseerdhët shqiptarët e nesërm!”

/Veritas.com.al/