Udhëtimi  i grevistëve ka përfunduar; ata kanë mbërritur duke ecur më këmbë nga Fieri në Tiranë për tre ditë. Grevistët u mblodhën para Ministrisë së Energjetikës dhe kërkojnë takime me zyrtarët e lartë. Një nga politikanët e majtë, Ben Blushi, këtë udhëtim raskapitës dhe në uri, e ka quajtur “marshimi i mjerimit”.

Ministria e Energjetikës  u ka kërkuar grevistëve të zgjedhin një përfaqësi, e cila do të pritet nga nga zv. kryeministri Peleshi dhe zv. ministri i Ministrisë së Energjetikës dhe Industrisë Ilir Bejtja.

Grevistët kanë përshkallëzuar protestën e tyre për shkak se nuk u janë plotësuar kërkesat për dëmshpërblim dhe rehabilitim të banesave pas lëkundjeve të pandërprera që ka pësuar toka e tyre dhe themelet e shtëpisë për shkak të punimeve të kompanisë së naftës “Bankers Petrolium”..

“Ne nuk tërhiqemi nga kërkesat tona. Ne kërkojmë dëmshpërblimin e shtëpive në masën 100 për qind dhe rehabilitim të ambientit, sepse fëmijët tanë janë me karbon në gjak. Ne do t’i kthehemi grevës së urisë, s’kemi kthim mbrapa, unë do të vetëflijohem atje”, u shpreh një ditë më parë një nga protestuesit”, thanë protestuesit.

/Veritas.com.al/