Në 24 orët e fundit në vend nuk është regjistruar asnjë vatër re me gripin e shpendëve. Kështu deklaroi zv.ministrja e bujqësisë Ermira Gjeci në nëj konferencë për shtyp. Ajo u shpreh se janë kryer kontrolle në të gjithë vendin, duke shtuar se po bashkëpunohet edhe me pushtetin vendor për marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjedise të hapura të pamiratuara.

“Janë kryer rregullisht kontrolle në të gjithë territorin e vendit dhe nuk janë konstatuar shkelje. Është miratuar urdhri dje për marrjen e masave kufizuese për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjes në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla. Po vijojmë bashkëpunimin për marrjen e masave për ndalimin e tregtimit të shpendëve të gjallë në mjedise të hapura të pamiratuara për shitjen e tyre, përfshirjen e trupës veterinare në rritjen e vigjilencës. Nuk kemi asnjë rast të ri të regjistruar”, tha zv.ministrja.