Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot në mëngjes drejtuesit politikë të qarqeve. Takimi vjen një javë pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të socialistëve, ku shefi i qeverisë la porosi të qarta për të ndezur motorët e fushatës elektorale të 9 majit.

Një nga çështjet kryesore që pritet të jetë në fokus të diskutimeve është iniciativa e quajtur “Prania Besnike”, përmes së cilës Partia Socialiste synon të forcojë komunikimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me qytetarët. Në kuadër të kësaj nisme, deputetët dhe drejtuesit politikë do të angazhohen për të qenë më pranë komuniteteve ku ushtrojnë aktivitetin e tyre, duke zhvilluar takime me banorët për të dëgjuar shqetësimet dhe problematikat e tyre, si dhe për t’i përcjellë ato pranë institucioneve përgjegjëse.

Ky takim zhvillohet pas mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, më 14 nëntor, ku u bë publik edhe nisja e përgatitjeve për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Në vijim të angazhimeve politike, kryeministri Edi Rama ka planifikuar një tjetër takim ditën e shtunë, këtë herë me Asamblenë Socialiste të Tiranës.

Ndërkohë, drejtimi i strukturave të PS-së në kryeqytet i është besuar Ervin Demos dhe Albana Koçiut, të cilët do të ushtrojnë detyrën e bashkëkryetarëve. Nga ana tjetër, Elisa Spiropali nuk do të jetë më pjesë e forumeve drejtuese të partisë, pas vendimit për shkarkimin e saj, të marrë një javë më parë.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *