Nancy Sinatra Sr, dashuria adoleshente dhe bashkëshortja e parë e këngëtarit legjendar Frank Sinatra, ka vdekur. Ajo ishte 101 vjeç.

Njoftimi është bërë nga Nancy Sinatra Junior e cila ka shkruar në faqen e saj të internetit se nëna e saj kishte vdekur në orën 6:02 të premten pasdite, por nuk  tha se ku.

“Ajo luftoi shumë për të qëndruar në këtë tokë, por koha mori më të mirën prej saj,” shkruante ajo, duke shtuar se nëna e saj shkoi “në paqe”.

“Krahë të lehtë, Mama dhe faleminderit për gjithçka”.

Frank dhe Nancy Sinatra kishin tre fëmijë së bashku.

Lindur si Nancy Barbato, në 25 mars 1917 në Jersey City, ajo u takua me burrin e saj të ardhshëm në verën e vitit 1934, teksa po pushonin me familjet e tyre në Jersey Shore.

Në atë kohë ajo ishte 17 vjeç dhe ai ishte 19 vjeç.

“Nancy po bënte manikyr në verande kur Frank erdhi me ukulelen e tij dhe filloi ti bënte serenate”, sipas një akaunti në faqen e internetit të Sinatra Jr.

“Një gjë çoi në një tjetër, dhe ata filluan të rrinë së bashku.”

Ata u martuan në vitin 1939 në kishën e Zojës së Madhërishme ne Jersey, pastaj u zhvendosën në një apartament modest në Nju Jork, ndërsa Nancy punonte si sekretare.

Në vitin 1950, e poshtëruar nga raportet në shtyp për  marrëdhënien e Frank me sirenën e ekranit Ava Gardner, Nancy paraqiti një kërkesë për ndarje dhe divorci i tyre u finalizua në vitin 1951.

I njohur për arritjet e tij romantike, Frank do të vazhdonte të martohej me Gardner (1951-57), pastaj me Mia Farrow (1966-68) dhe përfundimisht modelen Barbara Marx në vitin 1976.

Por ai mbeti i afërt me Nancy deri në vdekjen e tij në vitin 1998, sipas New York Times.

Më e madhja e tre fëmijëve të tyre është Nancy Sinatra Jr, e cila vazhdoi të ketë një karrierë të suksesshme si këngëtare me hite si ” These Boots Are Made for Walkin” dhe “Something Stupid”, një duet që e këndoi me babanë e saj.

Fëmija i dytë i tyre Frank Jr, i cili vdiq në 2016, gjithashtu kishte një karrierë në muzikë, ndërsa më e vogla është Tina Sinatra.

 

 

Veritas.com.al/