Në datat 26-27 qershor 2025, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës* së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), zhvilluar në Vareze, Itali.

Takimi mblodhi së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të kësaj konstituence, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore dhe ekonomive përkatëse.

Aktualisht, bota po përballet me sfida të reja gjeopolitike, gjeoekonomike dhe me kufizime tregtare, ndaj dhe në takim u diskutua rreth politikave industriale, të cilat mund të nxisin konkurrueshmërinë dhe rritjen ekonomike të vendeve.

Përfaqësues të lartë të FMN-së dhe BB-së prezantuan perspektivat e dy institucioneve për të garantuar stabilitet financiar dhe rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luan Banka e Shqipërisë në stabilitetin makroekonomik. Ai paraqiti pikëpamjet e Bankës mbi temat kryesore të diskutimit, duke ndarë pikëpamje të ngjashme me institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, si parakusht për rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Guvernatori u shpreh se për Shqipërinë, si një ekonomi e vogël dhe e hapur e lidhur ngushtë me Bashkimin Evropian, raundi fillestar i tarifave nga SHBA-ja ka një ndikim të papërfillshëm të drejtpërdrejtë në ekonominë tonë, pasi lidhjet tona tregtare dhe financiare me SHBA-në janë mjaft të kufizuara (rreth 0.2% e PBB-së). Megjithatë, ai vuri në dukje se një luftë tarifore në shkallë globale do të nënkuptonte rënie të kërkesës për eksporte, inflacion të importuar që do të rriste çmimet e brendshme, si dhe rreziqe potenciale në sektorin financiar, pasi kompanitë e ekspozuara ndaj tregtisë do të përballen me kushte më të vështira.

Nga ana tjetër, qëndrueshmëria mbetet thelbësore për të përballuar krizat e shpeshta dhe të mbivendosura që kërcënojnë zhvillimin ekonomik. Në mbarë botën, vendet po ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj rreziqeve dhe katastrofave natyrore. Kjo i vendos ato përballë zgjedhjeve për financimin dhe sigurimin e rreziqeve nga katastrofat, të cilat janë thelbësore për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe forcimin e qëndrueshmërisë, e që përfshijnë investime si në reduktimin fizik të rrezikut ashtu edhe në përgatitjen financiare.

Në përfundim, Guvernatori u shpreh se: “- Si bankë qendrore, përparësia jonë është ruajtja e qëndrueshmërisë së çmimeve, garantimi i stabilitetit financiar dhe forcimi i qëndrueshmërisë së ekonomisë, duke u treguar të vëmendshëm ndaj zhvillimeve globale dhe rajonale, dhe përmirësuar vazhdimisht kuadrin tonë të politikës ekonomike.”

Gjatë takimit duke diskutuar lidhur me zhvillimet në fushën e sistemeve të pagesave, inovacionin në teknologji dhe infrastrukturë, si dhe sfidat e lidhura me to, Zëvendësguvernatori i Bankës së Italisë, z. Luigi Federico Signorini falënderoi në veçanti Guvernatorin Sejko për bashkëpunimin e suksesshëm me Bankën e Shqipërisë lidhur me kontributin dhe lidershipin e treguar për modernizimin e sistemit të pagesave në vend dhe në nivel rajonal.

* Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej muajit tetor të vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën dhe San Marinon. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Riccardo Ercoli.

Republika e Shqipërisë është anëtare e Grupit të Bankës Botërore që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës (EDS21) është z. Matteo Bugamelli.

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *