Nga: L. Skiro/
Shumë njerëz, kolegë dhe ish- kolegë politikanë u radhitën sot në linjën e homazheve për Luan Hajdaragën, që ndërroi jetë dje.
Luan Hajdaraga, psikolog dhe politikan, do të mbushte 70 vjeç më 2 gusht, por një arrest kardiorespirator i mori jetën dje.
Në nder të kontributit të tij si politikan, deputet dhe ministër, Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot një ceremoni homazhesh për Hajdaragën. Në ceremoni morën pjesë familjarë, të afërm, politikanë dhe figura të tjera të rëndësishme. Mes politikanëve që u përkulën me nderime para arkivolit ku prehet Hajdaraga ishin edhe presidenti i Republikës, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruci, ministra dhe kryetarja e LSI Monika Kryemadhi dhe shumë figura të tjera.
Hajdaraga u përcill për në banesën e fundit, trupi i tij do të prehet në varrezat e Tufinës.
Ish-deputeti, dhe nënkryetar i Partisë Socialiste për shumë vite, pësoi disa muaj më parë një hemorragji në tru, teksa kthehej nga Struga ku kishte shkuar për të dhënë mësim në universitetin e atij qyteti. Ai u shtrua me urgjencë në spital. Dje ai pësoi arrest kardiorespirator, dhe me gjithë ndihmën e dhënë në QSUT nuk mundi të përballojë goditjen për të qëndruar në jetë.
Luan Hajdaraga vitet e fundit ishte lënë pa asnjë funksion në partinë Socialiste ku ishte bashkëthemelues; thuajse i braktisur në fatin e tij mes Barit të Hotel Carlsberg dhe Tetovës ku jepte leksione në një universitet privat.
Veritas.com.al/