“Homeland Justice” ka publikuar dokumente të tjera nga skedarët e policisë. Bëhet fjalë për të gjithë informacionin policor në sistemet e mbyllura për personat e dyshuar si të përfshirë në veprimtari kriminale apo të dyshuar kontingjentë.

Me këtë publikim, çdo person i përfshirë në veprimtari kriminale mund të kërkojë dhe të shikojë sesi e paraqet policia shqiptare atë në sistemin e kërkimit.

Policia e Shtetit ka reaguar pas publikimit të disa të dhënave në hakera të pretenduara se janë marrë nga databaza e sistemit policor MEMEX, për personat që janë në hetim.

Në reagim, Policia e Shtetit thekson se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor MEMEX.

 Më tej, policia njofton se , po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave. “Nga deklarimet e bëra sot në media dhe referimet e këtyre deklarimeve, sipas të cilave janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, sqarojmë opinionin publik se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor MEMEX.

Policia e Shtetit njofton se, deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave dhe apelon që, në zbatim të urdhrit të prokurorit, të datës 19.09.2022, të mos publikohen nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit, të dhëna që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik ndaj sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit”.

Rreth 2 javë më parë, grupi i hakerave iranianë, publikoi video nga disa pika kufitare dhe dhoma shoqërimi në komisariate, ndërsa më herët ata kishin publikuar të gjithë postën elektronike të ish-drejtorit të përgjithshëm, Gledis Nano.

Që prej vitit 2021 autoritetet shqiptare janë përballur me sulmet kibernetike, ndërsa hakerat iranianë vijojnë të publikojnë të dhënat dhe databaza të mbyllura të policisë.