Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belanda Balluku e cilësoi tunelin e Llogarasë, që u hap sot për qarkullim, si një vepër historike, i cili do të lidhë Detin Adriatik me Jonin. Në një intervistë për ABC News, zëvendës kryeministrja tha se tuneli është qendra e projekteve infrastrukturore në jug.

“Gjatë dy muajve të fundit që kemi qenë të përqendruar këtu sa i përket ndikimit të këtij tuneli si vepër infrastrukturore në ekonominë shqiptare. Duhet të kemi parasysh që ky është një tunel i gjatësisë së madhe, sipas kritereve evropiane, që do të lidhë perlën e  rivierës shqiptare, që është pjesa e Dhërmiut, Palasë deri në Sarandë me pjesën tjetër të Vlorës. Dikush tha që është tuneli që lidh dy detet.

Ky është një materializim i lidhjes së Jonit me Adriatikun. Është pjesë e një kurore infrastrukture që po ndërtojmë prej vitesh në jug, që ka të bëjë me autostrada që janë pjesë të Korridorit Blu dhe aeroportin e Vlorës që dorëzohet në fund të këtij viti dhe fillojnë operimet verën e vitit tjetër. Tuneli është qendra e këtyre zhvillimeve infrastrukturore dhe ndikimi ekonomik do të jetë i jashtëzakonshëm.

Për të kaluar Llogaranë u deshën 45 minuta për automjetet e vogla, ndërsa për autobusët një orë. Siguria rrugore, që sa herë jemi munduar ta mirëmbanim ishte e vështirë për shkak të kthesave. Sot do të kemi një akses të plotë në kushte sigurie dhe është vetëm 7 minuta kalimi.”