Pas afro tri vitesh që nga arrestimi i tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë, Nacionalja ka realizuar një intervistë ekskluzive me ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, brenda dhomave të paraburgimit, ku ai flet për veten, familjen, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, për domosdoshmërinë jetike të vendit që të qëndrojë në aleancën e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos qëndrojë në një gjendje të vazhdueshme krizas të njëpasnjëshme, si dhe për nevojën e përmbylljes njëherë e përgjithmonë të çështjeve me Serbinë – në njohje të ndërsjellë.
Nacionale: Disa vite para se të arrestoheshit, disa herë e keni përsëritur se do të dilnit në pension pas përfundimit të mandatit të Presidentit. A e keni pasur përnjëmend?
Unë sot jam në izolim fizik, por jo në burg mendor.
Ndjej se kam energjinë fizike e krijuese, përvojnë dhe freskinë mendore të bëjë gjëra të mira, të dobishme dhe kreative për shoqërinë dhe vendin tim.
Kosova ka shumë oportunitete të parealizuara; kapitali human përbën pasurinë më të çmueshme. Unë besoj në shoqërinë aktive, dinamike dhe inovative kosovare; besoj në të ardhmen e sigurt të fëmijve tanë dhe fëmijët e fëmijve tanë.
Nacionale: Çka ju ka marrë malli më së shumti në Kosovë?
Hashim Thaçi: Për familjen, të rri dhe të bisedojë i lirë me ta: Lumen, Endritin, i cili tani u rrit dhe u bë burrë, të merrja pjesë në ceremoninë e tij të diplomimit, të shëtisja maleve, bjeshkëve të bukura të Kosovës, të përcillnim ndeshje futbolli së bashku, apo të kalonim së bashku ndonjë ditë skijimi në bjeshkët e Brezovicës. Të bisedonim për ëndërrat e tij jetësore, apo për ndonjë film apo libër etj.
I mungojmë njëri-tjetrit çdo ditë, por ky është çmimi i lirisë.
E di që mallëngjimi është deri diku dobësi, por paraqet edhe njerëzi: jemi njerëz nga mishi dhe gjaku.
Po, më ka marrë malli për prindërit të cilët kanë hyrë në fazën e moshës së thyer, edhe pse flas shpesh përmes telefonit. Ardhja e tyre vitin e kaluar këtu në vizitë ishte një emocion i veçantë dhe i paharrueshëm.
Vizita ime para do kohësh, më 29 maj 2023, e cila u krye në ruajtje dhe shoqërim të DHSK, në vendlindje në Burojë, biseda me prindërit, për disa orë, paraqet një mrekulli të jashtëzakonshme njerëzore. Koha dhe biseda me ta ishte më e veçanta në jetën time. Evokuam kujtime të së kaluarës, biseduan për rrethin e ngushtë dhe të gjerë familjar, për të sotmen, por edhe për të ardhmen. Janë të bekuar që kanë plot mbesa e stërmbesa, nipa e stërnipa. Po e jetojnë pleqërinë të qetë, krenarë dhe dinjitozë.
Jam i mallëngjyer për njerëzit që i dua dhe më duan, që më besuan për më tepër se dy dekada, në procesin e përbashkët të ndërtimit të Kosovës së lirë, të pavarur, tolerante, zhvillimore.
Nacionale: Në fjalimin e fundit para popullit të Kosovës, ditën kur u arrestuat, një pjesë më ka lënë shumë përshtypje: ajo kur thoni të qëndrojmë së bashku dhe që të mos lejojmë të thellohemi në krizë kushtetuese dhe institucionale. Çka keni pasur ndërmend kur i keni thënë ato fjalë?
Hashim Thaçi: Unë vazhdoj të besoj se vetëm duke qëndruar të bashkuar si popull, mund t’i tejkalojmë sfidat. Të bashkuar ia dolëm në procesin e lirisë dhe pavarësisë, e ashtu duhet të vazhdojmë edhe në fazën e integrimit euro-atlantik.
Ky unitet qytetar dhe institucional duhet të mishërohet në vlerat perëndimore, në kuptimin e ecjes përpara, e jo bashkim në kauza të gabuara. Jo të kalohet koha së bashku duke reflektuar për ballafaqimet e së kaluarës, por të hidhet shikimi kah e ardhmja.
E kaluara jonë nuk është sfiduese, ajo është e fituar, është shumë krenare dhe me integritet, atë nuk mund dhe nuk duhet të tentojmë ta ndryshojmë. Sfidat dhe zgjidhjet i kemi përpara.
Njerëzit duan zhvillim, vende pune, mirëqenie, edukim cilësor, shërbim shëndetësor, ambient më të pastër, etj. Duhet kujdes që, duke u marrë shumë me të kaluarën të mos vonohet, rrezikohet apo edhe të humbet e ardhmja.
Uniteti brendashqiptar dhe investimi për pajtim ndëretnik janë çelësi i suksesit për Kosovën. Bota po lëviz dhe po ndryshon më shpejtë se sa intuitat apo agjendat tona lokale.
Çdo krizë e vonon shumë Kosovën, por edhe i minon përpjekjet e miqve ndërkombëtarë për ta konsoliduar shtetin e Kosovës në rrafshin e brendshëm, por edhe në afirmimin e saj ndërkombëtar.
Përkrahja ndërkombëtare nuk duhet të merren si e mirëqenë. Atë gjithmonë duhet merituar. Kosova çdo ditë duhet të vazhdojë të prodhojë argumente që e lehtësojnë mbështetjen e miqëve ndërkombëtar.
Nacionale: Mbështetja personale e Edi Ramës për ju pasi u arrestuat ka habitur shumëkënd. Ai ju quan vëlla e ju shpreh dashuri të madhe miqësore. Ne ishim dëshmitarë të raporteve të mira, edhe sa ju ishit në Kosovë. Por, a ishin gjithnjë të mira?
Hashim Thaçi: Kur erdhëm në Hagë, si pasojë e masave anti-Covid, i kaluam pa asnjë kontakt fizik rreth 9 muaj, madje as me familje. Nuk ishte e lehtë. Vizita e Edit ndodhi në vend dhe rrethana të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme, përtej politikës dhe procesit gjyqësor, bisedë krejt vëllazërore. Më kishte marrë malli. Edi lufton dhe zakonisht fiton në kauzën që beson, është impresionuese se si ai po vazhdon të ndërtojë dhe afirmojë Shqipërinë evropiane.
U gëzova shumë që, pas autorizimit të shefit të paraburgimit, pranova librat që Edi më kishte sjellë në objektin e paraburgimit të DHSK. Si zakonisht, ishte me plot humor të mirë. Por, kur u ndamë, e ndjeva se u emocionua shumë, por gjithmonë me besim për të ardhmen më të mirë dhe më të sigurt, përtej hapësirës ku qëndruam duke pirë kafe rreth dy orë.
Ne besojmë në drejtësi, në të vërtetën dhe transparencën. Qytetarët e Kosovës janë të etur të shohin dhe të dëgjojnë të vërtetën. Jo të cunguar, apo të njëanshme. Kosova dhe qytetarët e saj besojnë në parimet e drejtësisë moderne, të cilat i ka përfshirë dhe i respekton edhe me kushtetutë dhe ligje shtetërore. Drejtësi që respekton standardet bashkëkohore, e shpejtë dhe efikase. Drejtësi që e fiton legjitimitetin e brendshëm. Kosova ka vuajtur shumë nga padrejtësia. Kosova ka ecur përpara vetëm duke i respektuar parimet e lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.
Nacionale: Në politikën kosovare ju keni ndërtuar raporte personale edhe me figura tjera politike. A mund ta përmendni ndonjë prej tyre, që ndoshta edhe ju mungon sot?
Hashim Thaçi: Nuk do t’i ndaja njerëzit nga politika dhe jo politika. Më mungojnë miqtë me të cilët kam punuar bashkërisht mbi dy dekada, me të cilët kam ndarë gëzimin, hidhërimin, suksesin dhe dështimin, njerëzit e rrugëtimit krenar për lirinë, shtetin dhe zhvillimin e vendit.
Jam i inspiruar nga këta njerëz dhe përulem me respekt dhe mirënjohje që më duruan në gabime dhe më besuan në sukses. Integriteti i këtyre njerëzve është i jashtëzakonshëm. Ani pse e dinim se rrugëtimi me mua ishte jo i lehtë dhe i shkurtë, por më i sigurti dhe i qëndrueshmi.
Bashkëpunimi me partnerë apo rivalë politikë për mua ka qenë gjithmonë respekt, kujdes dhe qëllim në vete. Gjithë jetën time politike e kam bërë me njerëz të profileve të ndryshme politike. Për mua kanë qenë gjithmonë më me rëndësi prioritetet politike e jo ato ideologjike, partiake apo individuale.
Gjatë ballafaqimeve politike kam fituar shumë miq dhe kundërshtarë, por edhe janë krijuar kundërshti të ndryshme politike prejudikuese, por normale për shoqërinë demokratike plurale. Për mua janë të kuptueshme.
U jam shumë mirënjohës të gjithëve që i kanë qëndruar familjes sime afër, por edhe për vizitat që më kanë bërë në Hagë. Por, mbi të gjitha, për besimin që tregojnë në atë që përfaqësoj.
E riktheksoj, njerëzit më mungojnë, jo politika. Më kanë vizituar presidentë, kryeministra, ambasadorë, kongresmenë, politikanë, aktivistë të shoqërisë civile, udhëheqës të bashkësive fetare, veprimtarë të të drejtave të njeriut, intelektualë, akademikë, gazetarë, njerëz të artit dhe kulturës, botës së sportit, sipërmarrës, qytetarë nga Diaspora, të njohur dhe të panjohur. Të them të drejtën, u kënaqa duke biseduar për tema private, familjare dhe profesionale.
U jam shumë falënderues të gjithëve qytetarëve, kudo që jetojnë, të cilët ndajnë solidaritetin e tyre.
Nacionale: Ju keni pasur kohë, si asnjëherë më parë, të mendoni për gjëra të ndryshme, ndoshta edhe për luftën e fundit në Kosovë. A ka diçka të re që mund të na e thuash për atë periudhë?
Hashim Thaçi: Të them të drejtën, më shumë mendoj për të ardhmen se sa për kapitujt e mbyllur suksesshëm të Kosovës. Ne nuk e filluam luftën, dhe as s’e deshëm atë, populli i Kosovës i rezistoi agresorit. Nuk bëmë as më pak as më shumë se sa atë që duhej bërë, siç kanë bërë dhe bëjnë sot edhe shumë kombe bartëse të civilizimit botëror.
Ne fituam.
Tash duhet ta forcojmë paqen. Ajo sjell zhvillim, rend e ligj, harmoni mes njerëzve, jetë më të mirë e mirëqenie për qytetarët.
Vetëm me histori nuk mund ta fitojmë të ardhmen, historia duhet respektuar, institucionalizuar. Ajo është mishërim i qytetarëve, por nuk garanton sukses për të sotmen dhe të ardhmen.
Nëse dështojmë sot, e lëndojmë dhe e përbaltim historinë e fitores së djeshme. Por, duhet pasur parasysh se historia jonë e suksesit nuk është vetëm pronë kosovare, është edhe meritë e jashtëzakonshme e botës perëndimore.
Kosova është storie e suksesit të përbashkët. Pa përkrahjen e sponzoruesve të lirisë dhe pavarësisë si shoqëri mund të mbijetojmë ngatërrueshëm disi, por si shtet funksional nuk mund të ekzistojmë.
Ta mendojmë Konferencën e Rambujesë, kohën e bombardimeve, çlirimin e Kosovës, bërjen e Kosovës shtet, njohjen e saj nga mbi 100 shtete, vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, integrimin e saj në shumë institucione dhe organizata ndërkombëtare.
Duhet kujtuar se jo të gjithë faktorët relevantë botërorë ishin entuziastë për bërjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur.
E kundërta, Kosova do ta ketë pamjen e zymtë, të pasigurt, dekurajuese dhe me shumë dilema. Do të jetë ekonomikisht më e varfër, fare investime të huaja dhe me demokraci të lëkundur. Një vendi me kriza të përhershme askush nuk i beson.
Por, unë besoj në Kosovën në NATO, në BE dhe në raporte të përjetshme speciale me ShBA’në.
Me Serbinë duhet të arrihet paqe e përhershme, me njohje reciproke, ligjërisht obliguese. Sa më shumë që vonohet kjo marrëveshje, aq më e vonuar do të jetë Kosova në NATO dhe BE, e aq më e zbehtë do të jetë mbështetja e ShBA’së.
Përvoja ime më tregon se Brukseli e mbështet Kosovën, për aq sa e inkurajon dhe e mbanë në vëmendje atë Uashingtoni.
Aleanca me ShBA-në duhet kultivuar për të ardhmen strategjike, e jo veç për kujtesë falënderimi. Suksesi ynë është mirënjohja më e madhe që Perëndimi mund të pranojë dhe vlerësojë nga Kosova.
Nacionale: Kosova po përballet me probleme të mëdha, ikjen e të rinjve. Shquheni për mesazhe përbashkuese, edhe shkaku i pozitës si president. A keni ndonjë mesazh edhe për këta të rinj: Pse duhet të rrinë në Kosovë e ta duan atë?
Hashim Thaçi: Largimi i të rinjve dhe familjeve të tëra nga Kosova është shqetësues dhe paraqet alarm.
Njerëzit nuk largohen pse nuk e duan atdheun, por nga mungesa e mundësive për jetë më të mirë. Me këtë trend, shumë shpejt, në pak vite, mund të kemi proporcionin e mbi gjysmës së qytetarëve kosovarë që jetojnë në Diasporë.
Nuk duhet vetëm ankuar apo vajtuar largimin e tyre, por krijimin e kushteteve për frendim apo zvogëlimin e këtij fenomeni. Por, askush nuk duhet të mendojë se largimin e njerëzve për në Diasporë mund ta ndalë tërësisht.
Nuk duhet harruar se Kosova ishte përfituese e madhe nga Diaspora. Ata investuan shumë për lirinë dhe zhvillimin e Kosovës. Tash duhet ta shndërrojmë këtë faktor në përparësi për ekonominë dhe emancipimin shoqëror.
Është e njohur se shumë talentë briliantë po ikin jashtë, me këtë gjendje largimi do të rritet, pra “largimi i trurit”.
Uroj që të mos jetë njëdrejtimësh…besoj që shumë shpejt do ta kemi “qarkullimin e trurit” ku njerëzit largohen, qëndrojnë jashtë e pastaj kthehen në vendet e tyre…dua të besoj se invetime të ndryshme në Kosovë mund të lidhen me dijen dhe përvojën e sipërmarrësisë në Kosovë.
Të rinjt besojnë dhe ndihen krenarë me Kosovën. Të arriturat e Kosovës janë të jashtëzakonshme. Kosova është vend që ka dëshmuar që mund të bëjë mrekullira. Pra, më shumë shpresë, besim dhe optimizëmn për të sotmen dhe të ardhmen e saj.
Të punohet që secili qytetar të ndihet mirë dhe krenar me Kosovën.