Helena Kadare sot feston ditëlindjen (78-vjetorin) dhe në këtë ditë të veçantë ka përcjellë edhe mesazhe shumë të bukura, ku thelbin e vendos te ndjenja më hyjnore, te dashuria. Në një bisedë me studiuesen Alda Bardhyli, shkrimtarja e njohur shprehet se reflekton vazhdimisht për të ditur se çfarë ka bërë mirë dhe çfarë ka bërë keq në mënyrë që të përmirësohet.
Bashkëshortja e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, por edhe vetë, një grua mendjendritur rrëfen se beson në dashuri, madje për të ky është kuptimi i jetës.
Helena, Marguerite Duras i pëlqente që sa herë që kishte ditëlindjen të shkonte në kafe Demagog dhe të pinte, pasi asaj i pëlqente vera…Të duket interesante mënyra se si ajo zgjidhte që ta kalonte këtë ditë, se ndonjëherë më shumë se një ditë gëzimi është dhe një ditë reflektimi që njeriu bën në kohë?
Helena Kadare: Megjithëse e çmoj Marguerite Duras, kjo mënyrë nuk më përshtatet sepse nuk pres ditëlindjen që të futem në një kafene dhe të reflektoj për jetën sepse në mënyrë të vazhdueshme, gjithë kohën, jo vetëm në ditëlindje, çdo gjendjeve të mia që njeriu e përjeton shumë, sidomos unë personalisht, të bën që jo për ditëlindje, por në mënyrë të vazhdueshme të kthesh prozhektorin nga vetja dhe të shikosh çfarë ke mirë dhe çfarë ke keq. Unë merrem shumë me këtë gjë sepse dua të di patjetër se çfarë gjërash kam bërë gabim, si mundet t’i përmirësoj ose të mos i bëj më.
Po përpiqem që të të kuptoj përmes citateve të shkrimtarëve që e di që të pëlqejnë dhe njëri prej tyre është Singeri që ju e keni përkthyer në gjuhën shqipe. Gjithë vepra e tij është një përpjekje për të kuptuar kuptimin e jetës dhe ndoshta mund ta vazhdoje ti më mirë…
Po, prandaj dhe ai më pëlqen jashtëzakonisht shumë dhe prandaj e kam përkthyer pothuajse gjithë veprën e tij. Një ide e tij për jetën është kjo gjë që, nuk ekziston asnjë provë logjike që dielli do të lindë nesër. E ke dëgjuar këto ditë që një asteroid i është vërsulur tokës dhe kjo tani ma çoi në mend këtë mendimin e Singerit që s’ka asnjë provë logjike që dielli do të lindë nesër. Prandaj nuk ka kohë mendoj për të reflektuar më gjatë sepse siç shikojmë bota është egërsuar shumë, lufta në Ukrainë, këtë ngjarjet që shikojmë, vërshime ujërash, erërat, stuhitë, tajfunet, të gjitha këto na bëjnë që të mendojmë që jeta është e përkohshme dhe në fakt shumë e shkurtër për të bërë gjënë e duhur. Mendoj që çdo njeri duhet ta bënte këtë reflektim me veten e tij, të mos ishin kaq të etur për të fituar, për të ecur me bërryla përpara. Çdo gjë po të bëhet me dashuri dhe me logjikë patjetër, bota do të ishte më e butë, jo kaq egërshane sa ç’është aktualisht.
Erërat që vijnë, lajmet që na vijnë sot nëpër portale, nga bota sot tregojnë pikërisht një lloj stuhie në horizont. Njeriu gjithmonë e më tepër është përballë sfidave të reja, por unë do doja përballë gjithë këtyre sfidave, gjithë këtyre stuhive në ditët tona, për çfarë ia vlen të jetosh?
Për mendimin tim ia vlen të jetosh vetëm në qoftë se je i dashuruar, për hir të dashurisë. Dhe sa më shumë gjatë të mbash një dashuri, aq më me vlera është shpirti jot. Domethënë shpirti gjallërohet, merr kuptim dhe aksionet që bën, i bën shumë më të bukura në qoftë se është i dashuruar.
Besoj shumë te dashuria.