Vangjel Tavo fitoi me një diferencë të ndjeshme votash ndaj rivalit të tij opozitar Petro Gjikuria. Por përveç mbi 1400 votave diferencë, ose më shumë se 17% nga përfaqësuesi i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ra në sy detaji i disa kutive në fshatrat e zonës së Vlorës, që janë nën administrim nga Bashkia Himarë dhe që i kanë dhënë avantazh të ndjeshëm socialistit Tavo.
Sipas shifrave zyrtare nga Komisioni i Numërimit Himarë, por edhe KQZ në grafikët sqarues, bie në sy se socialisti ka marrë bindshëm vota në Lumin e Vlorës, pikërisht në fshatrat Tërbaç, Vranisht, Bolenë e Kuç.
Më e veçanta ka qenë ajo e kutisë 4589, në fshatin Tërbaç, ku pas numërimit rezultoi se Tavo mori 330 vota, kurse rivali i tij Gjikuria 7 vota, teksa 3 prej tyre supozohet se ishin votat e komisionerëve të opozitës. E përkthyer në shifra elektorale, në këtë qendër Tavo ka fituar me 98,3% e votave, rast gati i paprecedentë në zgjedhje.
Në total sipas KQZ, Tavo ka marrë 5022 vota përballë rivalit të tij, Petro Gjikuria, i cili ka marrë 3545 vota. Siç paraqesin dhe shifrat e KQZ-së, nga 36 kuti, Tavo ka fituar me 58.62 % të votave, kurse Gjikuria pak më shumë se 41%. Tani pritet vetëm që KQZ të ligjërojë mandatin e kryebashkiakut të ri.