Nga: Miho Gjini/
Rrallë ndodhë që ai që ikën nga jeta “të merr me vete!” e nuk përmendesh për një kohë të gjatë, sikundër e pësojmë tani me Mihalin tonë, ish pedagogun, më pas kolegun tim, regjisorin elegant, kritikun e mprehtë , dramaturgun dhe mikun e mençur.
Do të isha nën pushtetin e fjalës së tij, të logjikës së tij të padiskutueshme, të artit të tij elitar, të shakave të tij të kripura, si edhe të atyre artikujve e librave të tij të një ekzaktësie të padiskutueshme. Bashkëshortin e shoqes time të klasës, të shkollës së lartë të aktrimit, Edi Mirditës (Luarasi), e pata edhe komshi në Tiranë, e pata edhe bashkëvuajtës të pasojave alogjike të shfaqjes së tij “Njollat e murrme”, kur na përplasi nëpër internime e burgje Enver Hoxha, kur “ si pëlqeu Mbretit komedia!”, sikundër thoshte Shekspiri; e kisha redaktor të disa librave të mia në kohën e pasme, si edhe shok tryeze e bisede të përkorë, prej të cilit përherë do të mësoje gjëra që nuk i dija e as që do t’i dija kurrë.
… Ashtu siç nuk do të kisha asnjëherë fatin që të shikoja në skenë spektaklet e tij brilante, si tragjedinë e Shilerit “Intrigë e Dashuri”, komedinë heroike të Figueiredos “Ezopi”, dramën lirike “Një dashuri e tillë”, dramën psikologjike “Mosha e Bardhë” e te tjera, që rrezatuan talentin dhe personalitetin e tij në artin tonë skenik.
Me humbjen e këtij personaliteti, të nderuar me Urdhrat e Larta NDER I KOMBIT, ARTIST I POPULLIT dhe MJESHTËR I MADH, Teatri ynë, brezi qe ai edukoi në gjashtë dekada, spektatori dhe ne, nxënësit, kolegët e miqtë e tij, ndjejmë dhimbjen më të thellë.
Veritas.com.al/