Në lagjen 15 në Durrës, në rrugën “Ohri”, dy familjet e fëmijëve që humbën jetën në aksidentin tragjik kanë hapur dyert e mortit, ku po presin të afërmit dhe miqtë për t’i dhënë lamtumirën e fundit dy të miturve.

Në shtëpitë e familjeve kanë shkuar edhe shokët dhe shoqet e shkollës të dy fëmijëve, ndërsa ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit do të bëhet duke nisur prej orës 14:00.

Në homazhe kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të politikës mes të cilëve edhe zv.kryeministrja Albania Koçiu.

Ajo thotë se e vetmja gjë që mbetet është të gjenden pranë tyre, ndërsa tha se tashmë është detyrë e përbashkët të kërkohen dhe garantohen standarde më të larta sigurie.

“Në këtë ditë të rëndë që ka tronditur çdo familje shqiptare, ndava nga afër dhimbjen me familjet që humbën engjëjt e tyre. Është një dhimbje që nuk shpjegohet, nuk ngushëllohet e nuk kalon me asnjë fjalë apo përpjekje njerëzore. Kur jeta këputet në lulëzimin e saj më të pafajshëm, çdo ngushëllim është i vogël dhe i pafuqishëm.

Prindërit mbajnë mbi supe një peshë që asnjë zemër nuk duhet ta njohë. E vetmja gjë që mbetet është të qëndrojmë pranë tyre dhe të lutemi që të gjejnë forcë për të jetuar me këtë plagë që do të mbetet gjithmonë e hapur. Kjo tragjedi është një thirrje e dhimbshme që na përball me nevojën e domosdoshme për më shumë përgjegjësi, për respekt të palëkundur ndaj rregullave, standardeve dhe ligjit, por mbi të gjitha për një ndërgjegje më të lartë njerëzore. Është detyra jonë e përbashkët të kërkojmë dhe të garantojmë standarde të larta sigurie në çdo hapësirë, duke mos lejuar asnjë neglizhencë me pasoja të parikuperueshme për jetën.