Dy persona dyshohet se kanë gjetur vdekjen nga i ftohti në Tiranë gjatë 48 orëve të fundit. Ngjarjet janë bërë me dije nga Policia.
Sipas burimeve zyrtare,mësohet se në datë 17 janar 2016, në QSUT, në urgjencën kardiake, ka vdekur shtetasi F.J., 56 vjeç, i pastrehë. Policia ka bërë me dije se nga veprimet e kryera rezulton se vdekja ka qenë natyrale, nga temperatura e ulët.
Ndërkohë ngjarja tjetër ka ndodhur në Qytetin Studenti. Sipas Policisë, më 17 janar 2016, në Qytetin Studenti, në një nga bodrumet e njërës prej godinave, është gjetur i vdekur shtetasi Th.Th., 73 vjeç, banues në godinat e Qytetit Studenti, pa rezidencë fikse. Burimet e Policisë kanë thënë se nga veprimet e kryera dhe këqyrja e kufomës, mendohet se shkaku i vdekjes të jetë natyral nga i ftohti, ndërkohë që çështja është në pritje të aktit mjekoligjor.