“Është absurde të shkohet në referendum për reformën në drejtësi vetëm për shkak se opozita kërkon një të drejtë të saj”, u shpreh Ilir Meta pas mbledhjes së kryesisë së LSI. “Është absurde të shkohet edhe në zgjedhje të parakohshme”, tha ia duke kërkuar që të mos “ngatërrohet reforma me zgjedhjet”. Për zgjedhje të parakohshme nëse nuk miratohet reforma kanë folur disa zëra të PS.
Ndërsa idenë e referendumit e ka hedhur së pari kryeministri Rama. Meta tha se referendumi ka kuptim vetëm në rast se PD nuk i qëndron angazhimit të saj se ka vetëm një çështje për të cilën nuk bie dakord, por nxjerr pretekste të tjera. “Atëherë ne kemi për detyrë të shkojnë në parlament dhe për t’i dhënë më shumë legjitimitet të shkojmë në referendum”, tha Meta, duke theksuar edhe njëherë se nuk do të pranojë miratim të reformës me vota të trafikuara.
“Jam i habitur, jam i çuditur që kjo çështje nuk është zgjidhur më përpara. Dhe kërkoj që kjo cështje të zgjidhet. Sepse nuk e ka Shqipëria luksin të miratojë një reformë pa opozitën nëse opozita është e sinqertë në kërkesën e saj”, duke i dhënë një tjetër mesazh kryeministrit Rama dhe duke e ngarkuar njëkohësisht atë me përgjegjësi politike për dështimin në gjetjen e një kompromisi me opozitën.