Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta takoni sot përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave (AKIP) dhe të Unionit të Ekspertëve Mjedisor Shqiptar (UEMSH) . AKIP dhe shoqatat e tjera civile janë vendosur në krye të protestave dhe kundërshtimit të ligjit të miratuar nga qeveri “Rama” për importin e mbetjeve.

Përfaqësuesit e organizatave folën për shqetësimin e tyre dhe ndjeshmërinë e qytetarëve lidhur me mundësinë e miratimin në Kuvendin e Shqipërisë të ligjit nr. 92/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10463 datë 22.09.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” mbas kthimit të tij në Kuvend prej Presidentit të Republikës.

Zyra e shtypit të Parlamentit, njofton se “Kryetari i Kuvendit, Meta vlerësoi angazhimin e tyre për këtë çështje të ndjeshme, duke nënvizuar se ai do të dëshironte që miratimi i një ligji të tillë të mund të shteronte të gjitha mundësitë e dialogut, mirëkuptimit dhe konsensusit me shoqërinë civile, përfaqësuesit e industrisë ricikluese dhe opinionin publik, me qëllim që ligji t’i shërbejë interesit të qytetarëve, imazhit të Shqipërisë, rritjes ekonomike të vendit, zhvillimit të turizmit, bujqësisë dhe të rrisë punësimin e të ndikojë pozitivisht në mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetin e jetës së qytetarëve”.

Vetë takimi i kreut të Kuvendit me AKIP është një sinjal i qartë për nevojën e rishikimit të ligjit ose mosmiratimin e tij.

Fakti që kreu i Kuvendit, aleati kryesor i qeverisë, pranon të takojë protestuesit dhe të flas për dialog dhe mbrojtje të interesit publik, tregon për ndryshime brenda qëndrimit të mazhorancës.

Ditët e fundit, deputetë të LSI-së kanë deklaruar se do të flasin për mbetjet në momentin që do të vij për rivotim ligji në Kuvend. Duke parë dhe qëndrimet e fundit të PS-së për ligjin, gjasat janë që LSI të mos e votojë këtë nismë në Kuvend.

Ambientalisti Sazan Guri është shprehur se rruga e dekretit për mbetjet është drejt rrugës së duhur.

/Veritas.com.al/