Instituti i Gjeoshkencës, më në fund jep lajmin e qetësimit në qytete: Nuk ka më alarm për përmbytje urbane as nga lumenjtë e vegjël. Rreziku ka nisur të lehtësohet- sipas Institutit.

Por akoma ndodhemi nën influencën e reshjeve në shkallë kombëtare.

Reshjet e matura nga IGJEUM në basenet e lumenjve Vjosa, Seman dhe Shkumbin, përgjatë 24 orëve të kaluara, kanë qenë shumë intensive. Gjithashtu edhe jashtë kufirit të Shqipërisë në basenin e lumit Vjosa këto reshje kanë qenë shumë intensive.

Gjatë ditës së sotme e Shtunë (dt.02.12.2017) deri nesër e Diel (dt.03.12.2017), reshjet maksimale 24 orare, priten mesatare deri lokalisht intensive. Shenjat e Alarmit për përmbytje urbane ose nga përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël janë hequr nga tabela e qarqeve, sepse këto përmbytje e kanë kaluar pikën kritike përgjatë natës së kaluar.

Mbeten aktive paralajmërimet për vazhdimin e përmbytjes nga Lumi Vjosa në qarqet Fier dhe Vlorë. Nga llogaritjet e fundit hidrologjike rezulton se, në pjesët fushore të këtyre lumenjve do të vazhdojë përmbytja me prurje shumë të larta nga Lumi Vjosa.

Efektet kryesore të përmbytjeve në pjesët fushore në qarqet Vlorë dhe Fier do të vazhdojnë përgjatë ditës së sotme e Shtunë (dt.02.12.2017). Lumi Vjosa do të fillojë të tërhiqet në shtratin e tij natyral përgjatë fundit të ditës së Hënë (dt.04.12.2017). Shenjat e Alarmit për Përmbytje nga Lumi Vjosa janë vendosur në tabelë .

Në pjesët e sipërme të baseneve në qarqet (Elbasan, Gjirokastër dhe Berat) do të ulet rreziku nga përmbytja, për këtë arsye shenjat e alarmit janë hequr nga tabela.

Ky informacion do të përditësohet nga IGJEUM sipas llogaritjeve te ardhshme dhe do të njoftoheni për çdo ndryshim në parashikimin e përmbytjeve, njofton Instituti.

Veritas.com.al/