Nga: L. Skiro/

Duket sikur ka një mospërputhje shifrash mes asaj që deklaroi ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu, dhe çfarë deklaroi sot Policia e Shtetit përmes misionit të saj të fundit “Forca e Ligjit”. Por ajo që besohet është se as zoti Lu dhe as ‘zonja’ Polici, nuk i kanë të sakta shifrat. Në vendin tonë, gjasat janë se veprojnë më shumë se 40 dhe se 400 dhe se 4000 banda kriminale.

Vendi ka hyrë në një fazë të të kaluarës, në vitet 30 dhe 60 të shekullit të kaluar kur familje ‘të forta, në New York e në Itali, u kthyen në banda kriminale dhe në mafie. Studiues të njohur në botë mbi veprimtarinë mafioze kanë shkruar se baza e mafies në Shqipëri është klani dhe familja. Prandaj numri nuk mund të jetë i saktë as për ambasadorin, as për Policinë.

Por sidoqoftë, sot Policia e Shtetit ka deklaruar se sipas operacionit “Forca e Ligjit” janë identifikuar 40 banda kriminale në vend. Të 40 bandat- sipas policisë – veprojnë në të 12 qarqet e vendit.

Sipas studimit të Policisë, Durrësi është zona ‘më e nxehtë’ kriminale. Në Durrës dhe në Shijak veprojnë 7 banda ët egra kriminale. Sipas Policisë, burimi i të keqes së Durrësit është pozicioni gjeografik i qytetit ku ka edhe det.

Ndërsa Vlora renditet në vendin e dytë- sipas Policisë- me 5 banda kriminale. Edhe ky qytet, sipas Policisë, është i dënuar nga pozicioni gjeografik.

Elbasani, Fieri dhe Shkodra janë shënuar në hartën e qyteteve ku ka vetëm nga 3 grupe kriminale.

Policia ’lavdëron’ Korçën, Kukësin, Beratin, Gjirokastrën, Dibrën dhe Lezhën, ku ka më pak kriminleë dhe ku “Forca e Ligjit” do të ndjehet më i dobët.

Veritas.com.al/