Gjykata e Elbasanit me kërkesë të prokurorisë ka liruar nga qelia Saimir Tahirin. Vendimi është dhënë sot nga gjyqtarja Matilda Fetau, e cila ka vendosur që pjesën e mbetur të dënimit, ish-ministri i brendshëm Tahiri ta përfundojë në masën e arrestit të shtëpisë.

Gjyqtarja ka argumentuar se për shkak të probleme shendetësore të bashkëshortes së ish ministrit Tahiri dhe faktit që ai duhet të kujdeset për dy fëmijët e mitur, ka vendosur që të lirojë nga qelia Saimir Tahiri, për të kryer në shtëpi, pjesën e mbetur të dënimit.

Ish-ministri i brendshëm u dënua për shpërdorim detyre me tre vite e 4 muaj burg, pasi trupi gjykues e gjeti atë fajtor me argumentin se ka lejuar kultivimin e kanabisit, gjatë kohës që ka qenë në postin e ministrit të brendshëm, në vitet 2013-2017.

Ai u mor i pandehur për disa akuza, si “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, por gjykata e gjeti atë fajtor vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës.