Frrok Çupi
Gjurmët e ISIS po i kërkojnë kudo. Po i kërkojnë rrugicave dhe metrove te Brukselit, nëpër lagjet e ulëta pariziene… Pjesa tjetër e botës, e ulët, ka kopjuar “heroizmin” belg ose francez dhe po manifeston heroizëm tjetër, duke përfituar pushtet në kurriz të terrorizmit. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë lëshoi alamin se po e kërcënon terrorizmi, por ky “nuk dorëzohet”. Kryeministri bëri të njëjtën gjë, duke sajuar një dron që rrotullohej mbi vilën e tij në rrëzë të Dajtit…
Si në Shqipëri, qeveritarë të Bosnjës dje dhanë alarmin se ISIS kishte hedhur tritol në një tarracë pallati. Grekët sajuan një shpërthim në mes të Athinës, para selisë së Parlamentit. Në Egjypt u njoftua një shpërthim tjetër…
Kudo do të dëgjojmë përnatë shpërthime aty- këtu dhe menjëherë do të përhapet lajmi për terrorizëm.
Vallë e kanë kapur ose e kanë parë deri më sot ISIS-in?
Deri më tani njerëzit kanë mundur, që përmes frikës natyrisht, të bëjnë edhe pyetje: Vallë si mundet që një person, me atë fytyrë të vrarë e të lodhur siç e tregojnë fotot në media, të rrezikojë Brukselin, Parisiin , Nju Jorkun a Romën? Megjithatë frika i bën të mos pyesin shumë, veç të fshihen nga rreziku.
Ndërsa këta kamikazë me fytyra të vrara e me bombë në brez ekzistojnë, sigurisht, ISIS nuk është i gjithi ky. ISIS është i veshur me gravata, i kuruar mirë, pa asnjë shenjë pasigurie në fytyrë.
Shtetin Islamik (ISIS) po e bëjnë si fantazmë. Në fakt është këtu, mes nesh, përditë i pranishëm, shpesh herë edhe në gjueti të ISIS, shpesh herë edhe si kujdestar për ne të tjerët.
ISIS nuk është veç ai që po tenton të bëhët një shtet, por ISIS është në shtet. Jo veç në shtetin që aspiron sot të bëhet shtet (Shteti Islamik), por në shtetet ekzistuese.
Shtetet ekzistuese kishin aq shumë nevojë për një monstër në krijim, aq sa vetë Monstra (ISIS) ka nevojë për shtetet ekzistuese.
I shikoni si sajohen bombat në shtetet ekzistuese? Sepse i nevojiten shtetit. Asnjë dëm nuk bëri bomba në Bosnjë dje, por ndihmoi qeverinë e atyshme të korruptuar që të frikësonte njerëzit dhe t’u thoshte “kujdes me jetën, lini menjanë korrupsionin qeveritar”.
Çfarë bëri bomba dje në Syntagma të Athinës? Sa mirë që asgjë, por që kur e projektuan bombën dihej se nuk do të kishte dëme. Qeveria majtiste e përsëritur në një krizë të thellë popullore greke ka shumë nevojë për bomba pa dëm. “Terrorizmi” nevojitet që të heqë vemendjen nga pasiguria ekonomike ku ndodhet Greqia prej kohësh… Nesër e pasnesër do të ketë bomba të tjera terroriste pa dëm në disa vende të tjera që lëngojnë nga qeverisja e keqe, nga pakënaqësia popullore, nga vjedhjet qeveritare, nga neveria, nga pasiguria. Dhe prapë lajmet do të thonë se “rreziku terrorist i ISIS”….
A nuk ia kanë nevojën edhe shtetet e forta këtij shteti që nuk do të krijohet kurrë!?
Sot, për gjithë ditën u gatua një konflikt mes dy shteteve të vjetra e të forta, mes dy ish-perandorive. Rusia e Turqia me zor krijuan përrallën e konfliktit mu në kufijt e tyre dhe në zemrën e atij territori ku po thuhet se Shteti Islamik ka ngritur Komitetin Qëndror dhe Qeverinë, në kufirin e Sirisë. Një avion i Rusisë u rrëzua nga raketat e Turqisë, mu në kufirin e Sirisë. Në fillim lajmi u përhap zvarrë-zvarrë, i zbehtë dhe i pa formë. Pastaj mori këmbë dhe u ndje i sigurt se mund të shkaktonte konflikt. Vetë presidenti i Rusisë, Putin, kërcënoi se ky është “konflikt serioz”. Deri në mbrëmje tensioni u ngrit aq lart sa u angazhuan NATO, shtetet perëndimore si Britania e Madhe, Franca, Shtetet e Bashkuara, Gjermania…
A do të shpërthejë lufta gjatë natës, vallë? Kaq lart u ngritën tonet. Mediat e ditës hapen arkivat dhe numëruan arsenalet ushtarake të të dy shteteve, Rusi e Turqi.
… Përralla u ndërtua e denjë sa vetë skemat e Luftës së Parë e të Dytë: Konflikt në kufi, një i rënë aty mu në mes, kufiri që ndan më shumë se dy shtete, etj! Në këtë rast u zgjodh kufiri (që nuk ekziston) i shtetit Islamik.
E shikoni, dy shtete të fuqishëm kërkuan prezencën e Shtetit Islamik për të filluar një aferë konfliktuale prej nga mendojnë të kenë përfitime.
Shteti Islamik (ISIS) nuk është alien; Shtetin Islamik duan ta bëjnë jashtëtokësor.
Askush deri më sot, askush nga shtetarët, nuk ka treguar sjelljet e “shtetarëve” brenda ISIS. Veç reportazhet e mediave kanë dëshmuar diçka. Shtetarët ia kanë ndaluar vetes të flasin për sjelljet e brendshme në Shtetin Islamik. Po sikur të ndodhte kjo?…
Sikur të ndodhte që shtetarët të flisnin për sjelljet e “shtetarëve” brenda ISIS, atëherë do të dukej se po tregonin për vete. Ose thënë më qartë, do të tregonin veten.
Ja për shembull, çfarë kanë dëshmuar reportazhet e mediave për territoret e ISIS:
Kanë thënë se atje dhe kudo ku shkojnë terroristët, përdorin drogë për të stimuluar fuqinë e të keqes kriminale. Ndërsa shtetarët, psh., këtu hahen përditë se cili përdor më shumë drogë. Kryetari i Kuvendit ka kallëzuar kryeministrin, opozita ka kallëzuar ministrin, ish kryeministri tregoi sot overdozën e kryeministrit. Atje shtetarët e përdorin kokainën shtetërisht, edhe këtu shtetërisht. Atje pasurohen me anë të tregut të narkotikëve dhe naftës, këtej ndodh thuajse e njëjta gjë. Veçse këtu narkotikët transportohen me avionë nga aeroportet shtetërore, atje akoma nuk ka shtet.
Sikur të ndodhte që shtetarët këndej të tregonin për zakonet brenda ISIS, atëherë do të tregonin me siguri se atje nuk ka zgjedhje të lira politike. Sepse atje sundon paraja kriminale. Këtë nuk e tregojnë sepse do të dilte sikur flet për shtetet këndej. OSBE kallëzoi disa ekonomi kriminale deputetësh dhe një Parlament kriminal. Këndej iu merren paratë njerëzve të thjeshtë për të blerë votat e njerëzve të thjeshtë dhe koka deputetësh. Domethënë këndej ka skllevër, njësoj si ata. As këndej nuk do të ketë më zgjedhje politike të papaguara.
Andej pasuria e naftës dhe e drogës shkon për Shtetin Islamik, këndej për partitë. Madje këndej ka shtetarë shumë më të pasur se zoti Baghdati që është komandant i Shtetit Islamik.
Madje këndej ka ideologji, njësoj siç ka ideologji Shteti Islamik. Atje ideologjia është “fetare”; edhe këtu aplikohet një fe e harruar, por që të kujton se njeriu vdes por lind përsëri. Feja Rilindje përdoret si ideologji populiste.
… Sa shumë të përbashkëta ka Shteti Islamik (i palindur akoma), me shtetin që ka njëqind vjet që është krijuar. Prandaj shtetarët këndej e fusin ISIS-in në rrethin e fantazmave dhe jashtëplanetarëve.