Majlinda Bregu
1 Maji për punëtorët në Ballkanin Perëndimor dhe në gjithë botën, është mbi të gjitha, një moment reflektimi mbi betejat e vazhdueshme për përmirësimin e kushteve të punës, ikjen e trurit, papunësinë afatgjatë dhe punën e padeklaruar.
“Normat e punësimit në Ballkanin Perëndimor kanë arritur rekordin e lartë prej 60,5% në vitin 2023, dhe ndërsa kjo shifër ngjall optimizëm, duhet pasur kujdes për arsyet që qëndrojnë pas saj”, tha Sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu në hapje të videos me rastin e 1 Majit, Ditës së Punëtorëve.
Pabarazitë gjinore vazhdojnë në fuqinë punëtore, me gratë që mbeten prapa burrave me 15%. Sfida të tilla si papunësia afatgjatë, puna e padeklaruar, krahas tendencave shqetësuese të emigrimit dhe ikjes së trurit, vazhdojnë të mbizotërojnë.
“Një e pesta e popullsisë së Ballkanit Perëndimor jeton jashtë vendit, ndërsa sipas edicionit më të fundit të Barometrit Ballkanik të RCC-së, 71% e të rinjve tanë mendojnë të lënë shtëpinë e tyre dhe të largohen jashtë vendit”, shtoi Bregu.
Janë të shumta arsyet që bëhen shkak për largimin e shpejtë të qytetarëve nga rajoni: nga standardet më të ulëta të jetesës në krahasim me ato në vendet e destinacionit, te mbrojtja e dobët sociale dhe nivelet e larta të korrupsionit. Sipas Barometrit Ballkanik, politikat që synojnë të mbajnë fuqinë punëtore të rajonit, kanë popullaritet të rritur në mesin e bizneseve të Ballkanit Perëndimor me një mbështetje rekord prej 70%, një rritje prej 24 pikësh që nga viti 2021. Megjithatë edhe pse 40% e bizneseve vendase do të preferonin më shumë punëtorë nga Ballkani Perëndimor, ata drejtohen drejt vendeve të treta, duke importuar punëtorë të kualifikuar për të plotësuar vendet e tyre të lira, dhe kuota për dhënien e lejeve të punës është çdo vit më e lartë në ekonomitë e rajonit.
Nisur nga këto realitete shqetësuese, lind pyetja: Si mund të arrijmë që në vitin e ardhshëm në Ditën e Punëtorëve të ketë më shumë njerëz që punojnë në rajon sesa jashtë kufijve?