Moikom Zeqo, nje nga miqte e mi me te mire te jetes me te cilin jam ndjere krenar, ka ikur sot ne mengjes. Lajmin ma dha miku im Ferid Hudhri. Me mbeti merak se ne kohen e pandemise e kishim lene te pinim nje kafe te tre si perhere. Do ta pinim te shtepia e Pandeli Koçit, pastaj e lame per me vone se ishte si i pamundur. Kur te kthehem nga Saranda do ta pime nje kafe per qejf te tre me Feridin, i thashe. Dhe kafja s’u pi… U shua nje zemer e madhe. U shua nje mik i madh, prania e te cilit na nderonte te gjitheve. U shua nje nga mendjet e rralla te kombit. Nje diturak i paarritshem. Nje shkrimtar, krijues, poet, studiues, arkeolog, mitolog, historian, ku dija ecejakej mes gishtash. Kishte ne shpirt aq shume miresi. I palodhur ne pune, gjer ne çastin e mbrame te jetes duke shkruar. Ndofta i vetmi ne hapesiren tone si shqiptarë me nje prodhimtari botuese te jashtezakonshme, mbi 100 libra, ku plikseshin lami, dije, argumente te ndryshme. Une kam shkruar dhe nje liber-monografi per te, “Who is Who”, te cilin e kishim lene ta ribotonime me disa shtesa perkatese. Ne kujtim te tij po risjelle vetem diçka nga ky liber…
Who is Who
1
-Jam i lodhur, – më thotë burri që kam përballë, teksa gjerbim të dy nga pakëz verë në qefin tonë, – s’e kam më ritmin e njëhershëm, as kënaqësinë.
-Prandaj shkruan çdo dy-tre ditë esse në gazeta, herë një e herë dy faqe? – e ngacmoj unë – 70 libra i ke bërë gjer tani, sa do të bësh akoma?
Dhe ndjej se si afshi i verës ka hyrë tinëz në mugun pa formë e cak të trurit tim. E di se kjo shfryrje e burrit përballë s’është veçse një kthinë dëshpërimi hapur diku thellë në ndërdijen e tij, aty ku të çpon syri shpotitës i absurdit dhe nis të tallet me ty tepria e filozofimit, kjo lëngatë e sektit tonë prej “librangrënësish”.
-S’rri dot pa shkruar, më është bërë sëmundje, flamë, kolerë, – i gjegjet cazë me vonesë ai shpotisë sime pa të keq. Dhe bën një gjest të shpenguar si prej aktori, përshkon gishtat nëpër flokë, buzëqesh dhe shton si pabëzaj:
-Edhe kur të mbyll sytë, besomë, më duket sikur do të shkruaj. Ore, ankthi i të shkruarit është si ai bishti prishamendës i djallit mbi tokë. Pse s’e shkrova dhe këtë, dhe atë, dhe atë tjetrën? Ja, mbarova Lazgushin, por s’po e mbaroj dot Buzukun, as Skënderbeun…
-Mbarove “Miscellaneo 12”… Gjithë poezinë e përmblodhe në 12 vëllime të trasha.
-Oh, poezi kam shumë. Kam shkruar të tjera…
-Mos u bëj maniak.
-Jo, maniak s’jam, por s’rri dot pa shkruar… pa botuar… s’jam i qetë… Kur shkruaj më duket sikur qetësohem. Jam vetvetja. Jetoj. Po, po, jetoj… Ti e di vetë, se je kritik… Eh, kam nevojë të bisedojë me dikë, më kupton? Ai s’është, por unë e shoh. Dhe grindem, humbas… E ke vënë re që disa nga librat i kam konceptuar në formë dialogu?
– Nga ata, “Kur foli Mona Liza”, për mua është më i bukuri.
– Pse s’të pëlqen “Onufri”? Aaaaaaa… Aty kam thënë gjëra të mençura unë. “E kuqja e Onufrit”, thuhet gjithandej. Po pse e kuqja dhe jo e arta? Nuk është thjesht ngjyra, më kupton? Ngjyra si prani. Është përtej saj. Është drita që vjen nga sipër. Drita e mendjes. Onufri ishte mendimtar. Shihe me kujdes. Gjithçka vjen nga sipër. Sepse ai qe si një Krisht që lëvizte mbi ngjyrë dhe dritë, i bënte ato fjalë për ata qe e shikojnë… për ata që e kuptojnë dhe dinë të flasin me të. Unë flas me të. Dua të flas. E kam qejf dialogun sepse përmes dialogut jepet dialektika e gjykimit kritik. E si mund ta shpjegosh ti dritën dhe ngjyrën e Onufrit? Ai ishte vetë drita dhe ngjyra, kudo, në çdo portret. Piktura e tij është si një lumturim i heshtur, mbushur me paqe, me syrin fshehur pas një palimpsesti…
Moikomi fliste e fliste. Kishim ikur nga Onufri, diku në vargjet e Poradecit kishim shkuar.
– Kam gjithë ato ide në kokë. Poradecin e kanë keqkuptuar…
– Keqkuptuar?
– S’është thjesht liriku më i madh i shqipes. Është i perëndishëm. Bëhem “fir”, thotë ai. Bah! Sa figurë e bukur, ë? Mrekulli! Bëhem “fir”…
-Për Lazgushin po flet apo për vete?
-Për vete, sigurisht… Ore, e lexove romanin e fundit të Saramagos? Po Koech-in?… Nobelin këtë vit e fitoi Pamuku, shkrimtar i madh turk… O zot, ç’farë libri gjigand që është “Unë jam e kuqja”. Sa bukur i përplas qytetërimet, artin, religjionin!…
Dhe burri sikur harron, e lë Lazgushin tonë me pejzazhet e lij liqerore, i lë dhe të mëdhenjtë e letrave të shekullit dhe rikthehet tek kupa e helmit të vet. E pi sërish atë kupë…
-Pëf!… E more vesh? Bllejku vdiq dje… Shkrova një ese për të…
Ka një fytyrë të gjerë, të zeshkët, me një lëkurë disi të trashë, si të pjekur nga kripa e detit, por të ushqyer mirë dhe të lidhur fort pas mishit. Ajo që të bie në sy, janë qeskat e rënduara nga leximi, më parë të mavijosura, si me gjak të mpiksur, tanimë në një ngjyrë kafe të errët, thuajse të nxira. Shumë kanë bredhur ata sy nëpër hordhitë e gërmave plot maja, gërxhe, gunga, gropa, qafa, dredhje e spërdredhje! Ajo pjesë e butë e mishit nën sy, si e squllur dhe e lëshuar, paqtohet me kockën mbi mollëzat e kërcyera dhe duket se fle paqësisht aty. Ose dremit. Ose… Mbi sytë dhe qepallat pis të zeza, hapet një ball, që duket sikur garron me kafkën thuajse trikëndore, duke i dhënë asaj (sikundër thuhet nga antropologët) volumin e nevojshëm për të mbajtur një sasi trunore, sigurisht mbinormale. Modeli trapezoidal, ku balli i gjerë dhe kafka e hapur lart, që mbyllen poshtë me mjekrën paksa të dalë, të rrumbullt, si të shtyrë para dhe të ngjeshur, duket se vërteton një vullnet të fortë për punë, këmbëngulje, neps pafund për realizimin me çdo kusht të synimeve të caktuara. Ky është, pak a shumë, portreti i njeriut që bisedoj e me të cilin së toku pimë nga pakëz verë e çukisim pjatat me peshq të majmë e të shijshëm: ai levrekët e tij të preferuar, të pjekur në zgarë, unë barbunin tim të skuqur fort…
-E kam kokën rrëmujë… – vazhdon të shfryjë burri. – Dua të kap diçka, qoftë dhe të projektoj një libër të ri a ku di unë çfarë, por s’mundem… Dreqi ta hajë, vijnë e ikin imazhe, figura, personazhe, ide; gremisen teposhtë, thyhen, harrohen, zhduken. Dua t’i kap, t’i mbaj, por sa ç’mbahet ëndrra e mëngjesit nga vërshimi i dritës dhe zhurmat, aq i mbaj edhe unë ato. Më vdesin në mendje, në duar. M’u prish gjendja. Jam rrëmujë, më kupton: as poshtë as lart. Jam i papunë. S’përqëndrohem dot. Hedh tri gjëra në letër, më vijnë tridhjetë të tjera. Dhe plas nga inati që, të gjitha, ashtu kot, veç ikin, ikin, si ata zogjtë e trembur. Kohë e humbur…
…Kalojnë vite. Qeskat e syve sikur zmadhohen tok me vitet.Ka kohë që e ka lënë Durësin dhe ka ardhur në Tiranë. Ka blerë një shtëpi në bllokun e godinave të larta e të reja pranë Gjykatës së Tiranës. Poshtë, në katin e parë, ka një kafe. Në mëngjes e gjen atje, rrethuar nga një grup miqsh të letrave dhe të artit. Moikomi është sia jo Bleta Matkë, që shoqërohet nga një trumbë bletësh të tjera. Nuk është e vështirë të vësh re në fytyrat e tyre respektin, simpatinë, gjer dhe adhurimin. Është një farë idhulli, një farë fetishi, që fuqia e mendjes e bën të tillë vetiu, pabëzaj…
-Bah!… S’rri dot pa punë, kështu! Kjo është marrëzi – gati nxehej me veten ai. – Mos qesh! Po flas seriozisht. Do që ta vrasësh tjetrin, lëre pa punë!…
-Ti në punë je. Edhe tani. Shkruan, boton. A s’janë punë librat që ke botuar?
-Ti e di ç’dua të them.
-Nga detyra e drejtorit të Muzeut Kombëtar do të ikje një ditë…
-Veç jo të më hidhnin në rrugë, ama. Kjo më fyen.
-Poçen e qenit pas bishtit s’e ke ti. Le ta tundin dhe ta shkundin ata që të hoqën. Ti je shkrimtar, studiues…
Dhe e godas lehtë në shpatulla.
-Mos u mërzit, ç’ke?! Hajde, gëzuar!
Ai rrotullon gotën e verës syvarur. Pikëllimi ka ngrirë mbi gishtat e tij.
-Eh, ç’ti bësh, miku im, – vazhdoj të luaj unë rolin e ngushëlluesit, – kur s’ka punë truri gjen vetë punë.
-Eh… një tokë e çuditshme truri i shkrimtarit, pllenohen e mbijnë, si ata dhëmbët e dragoit, gjithfarë lloj përbindshash, ide të marra, fantazi dhe imagjinatë e çartur. O i kap në kohë, o koha të kap ti.
-Koha s’kapet.
-Koha të lë… – shfryn ai.
-Veç ty s’ka për të të lënë ndonjëherë…
-E di ç’mendoj? Shyqyr që është shpikur shkrimi.
-Të shkruarit është një lloj deliri, por një delir i “ëmbël”, ama! – shtoj unë.
-Mund ta quash më mirë “gjendje”, – sikur gjallërohet burri, – një situatë e çuditshme, e pashpjegueshme. Të më pyesësh mua se çfarë shkrova ekzaktësisht dje, si e shkrova, jo-jo, s’mbaj mend thuajse asgjë. Prandaj them se është gjendje. Më pas fillon të regjistrosh, sepse gjithçka e hedhur rrëmbimthi kërkon “policinë” e mendimit, drejtëpeshimin e arsyes, shkurt ftohtësinë, qartësinë dhe saktësinë e shkencës. Kështu më ka ndodhur me shumë libra, por sidomos me “Florimontin”. Eh, ç’ti bësh?!… Si thotë Sandër Prosi tek ai filmi: bluan ky i shkret mulli!…
Dhe burri i bie kokës me majën e gishtit, duke bërë ojnën e aktorit tonë të mirënjohur, që ai e admironte fort. Pastaj shton befasisht:
-Do vdes shpejt, besomë!
-Paç vdekjen e Omer Khajamit, shuar mbi lëngun e kuq…- s’e mbaj dot të qeshurën unë, duke e bërë nul trishtimin e tij. Dhe çokim gotat.
Dhe gjerbim rishtazi lëngun e kuq. Dhe harrojmë. Dhe flasim për letërsinë. Për artet. Për estetikën. Për filozofinë. Për emra të mëdhenj. Jo semiotika ashtu, jo strukturalistët kështu. Jo Bodleri, jo Remboja; jo Barti, jo Sosyri; jo Bahtini, jo Niçja; papo Kroçja dhe Borghesi, papo Malarmeja dhe Majakovski, tutje Bllejku dhe Koehlo, më tëhu Koech, Saramago, Grimbergu dhe Gombrixhi; dhe Santajana dhe Uitmani, dhe Prusti dhe Xhojsi, dhe Kadareja dhe Qosja, dhe Dritëroi dhe Fatosi; jo-po fjala ashtu e imazhi kështu, jo-po metonimia aty e metafora këtu. Dhe konteksti, nënteksti, metateksti… Dhe shenja, e shënjuara, shënjuesi… Denotacioni, konotacioni… Dhe retorika, poetika, semiotika… dhe… dhe… dhe…
O zot, sa shumë fjalë!
-Gëzuar, miku im!
Mërzia ish mundur. Ushtrinë e saj, plot një kupë helmi, dhe portat e hekurta të kështjellës, i kish thyer letërsia… Kjo “shtrigë plakë”, që plagos e lëndon njeriun, dukej se ia kishte frikën pasionit të këtij burri. Pasionit për artin e fjalës. Pasion që s’shuhej kurrë. Ndaj dhe ajo ish zbythur dikah… Në kundaskund, siç e kish shpikur këtë fjalëformim Kadare. Apo në gjithkund? Skaje të pafundësisë qenë të dyja.
2
Ja… flokët e zinj me zbardhëllime fijesh të lodhura, qimja e ashpër e mjekrës që buiste e nxinte mbi lëkurë, sikur pajtoheshin edhe ato me “fatin” dhe personalitetin e tij. Krejt i përkorë në tavolina miqsh, përkundrazi në libra e gazeta fytyra e tij, si një nga farëhedhësit e palodhur të shtypit kulturor mbarëshqiptar, sikur deshte të hiqej “ndryshe”. Një kapele çudake tip “republike” rrasur në kokë, sepse më ndërmendte manitë dhe ekstravagancat e Salvador Dalisë. Ajo kapele matej të konkuronte “posterin” e tij mediatik. Të krijonte një “ikonë”. Në një fotografi të bërë para shtëpisë muze të Ernest Hemingueit në Baltimorë në SHBA, dhe në një tjetër që ai e nxjerr përherë nëpër faqet e gazetave, personazhi im mund të duket edhe si një asket mjekërzi, a pelegrin, a murg, a shaman, a udhëheqës grotesk, a piktor shëtitës, a mësues fshati me aq lekë në xhep sa për një kafe turke, gjer dhe si një lypës, si një ushtarak në pension, a s’e di ç’dreqin tjetër, veç një udhëtar sigurisht, një aventurier, një Xhoni Uoker. Paradigma e këtij sivëllai të Xhoni Uokerit sikur e shkul nga kjo kohë e nga kjo botë (me përkorjen, zhurmën, pluhurin dhe rrëmujën e saj) dhe e hedh diku tutje, në botë e kohëra të tjera, ku rregulli thyhet sepse s’ka rregull. Po, ky njeri është një shtegëtar i mendimit, i fantazisë, i ideve, i llojlloj hamendësimeve, në dhiaret e konceptimeve librore dhe vramendjeve. Është një Kalkant i fjalës dhe i kuptimeve të fshehta të saj. Një tru-sfungjer, që veç thith e thith në detin pa anë e fund të njohurive, me një kujtesë që të ngjall zili. Një haxhi, që vrapon drejt Mekës për t’i dhënë zë misterit kozmik. Një pelegrin, që ecën e ecën këmbëzbathur (si “Djali plangprishës” i Rembrandit), mes zhegut dhe breshërit, në kthimin pendestar tek Ati, aty ku shqiptohen e vijnë kumtet mesianike të artit, posaçërisht ato të poezisë. Dhe lumnaja e metaforave.
Kohë (pa kohë) mbi libra si një Agostin, herë i pranuar herë i dëbuar, gjithnjë e më shumë, sa më “plak” bëhet, ai ka qejf të prashisë në kopshtiet e estetikës, eseistikës, mitologjisë, historisë, arkeologjisë, pikturës, etnokulturës, teologjisë, astrologjisë, doemos edhe filozofisë. Fjala e tij ka edhe kripë, edhe sheqer. Edhe të ushqen, edhe të ëmbëlson. Shkenca fle në po atë shtrat me letërsinë, ashtu sikundër saktësia e faktit me aventurën dhe fantazinë, ashtu si ashpërsia dhe kokëfortësia e hulumtimit shkencor me butësinë, afshin dhe përkëdheljen e poezisë, ashtu si “analizat” kimike spektrale që vijnë prej objekteve të ringjallura arkeologjike me “pëshpërimat” e vdekura të miteve, ashtu si lënda e ngrohtë e jetës që vilet nga udhëtimet dhe reportazhet prej gazetari me kurthet dhe dialektikën e mendimit “xanxar”. Autori është një lloj paradigme e Gjigandit të Rodosit: njëra këmbë në një ishull, tjetra në ishullin përbri, ndërsa poshtë tyre, me hambarët e mbushur përplot, lundrojnë anijet që sjellin dije prej arkeologjisë, historisë, kulturës, artit, letërsisë shqipe (dhe asaj botërore). Në dashurinë e tij për to nuk ka as “flirt”, as “inçest”, as “Sodomë e Gomorrë”, sepse është gjithë po ajo qenie sinkretike e unike, e pandryshueshme, vetanake, me po atë trup. S’mund të quhet as shkencë e “letrarizuar”, as letërsi e “didaskalizuar” (epistimologjike). Është shkrimtar-dijetar apo dijetar-shkrimtar, diç e ndërmjeme (sepse mes s’ka).
Ky njeri quhet Moikom Zeqo.
-Gëzuar!
Por trishtimi nga sytë e tij s’largohet që s’largohet. Lëngu trallisës i Bakut qenka i pafuqishëm mbi mërzinë dhe melankolinë që paska sjellë nëpër muguj Hamleti plak, kjo përshpirtje e përjetëshme e dilemës.
-Jam i mërzitur…
Kishte të drejtë ta kishte shpirtin përplot mërzi. E kishin hequr nga puna. Pa takt. Vrazhdët. Siç bëjmë ne, shqiptarët. Dhe askush s’i kishte ofruar një vend.
Dhe njeriu ofshan sërish…
-Me këta horra, s’bëhet Shqipëria!
3
Rrekem të shkruaj për krijimtarinë e tij, i bindur se shumë gjëra do të më rrëshqasin si uji nëpër gishtat e duarve. Uji s’mbahet dot. Uji lëviz. Uji ndryshon. Asnjëherë s’është i njëjti. Përshembull, ujtë e rrjedhës së një lumi. Por dhe ujtë në oqean. Dua ta ndërmend një grimherë krijimtarinë e tij bash si ujin e ndryshueshëm të lumit: gazmor, hovçues e vrapacak i pangishëm, që turet e turet gjësendeve farësojta dhe falë metaforave e simboleve i shpirtëzon ato. Por, saora, po ky ujë të ngjan edhe si ajo vorbulla e errët dhe egërshane, e cila të rrëmben sakaq e të përplas andej-këndej duke të hutuar. “Eja, ndiqëm!”, të fton ajo… vorbulla. Dhe teksa ti i shpëton e diku arrin një pikë, në një breg a në një guvë. “Të kapa!”, sikur do që t’i thuash lumit që rrjedh poshtë këmbëve të tua, por gabohesh. Diku më tutje ka çarë e fuguar lumi yt, kurse ti?!… Eh, ti ke mbetur përsëri pas… E si mund të shkruhet lehtë për 80 libra?
Metafora e ujit më grish edhe ngase Moikom Zeqo ka qenë në rini të vet një notar. Një notar garrues në stilin e “krolit” me ekpin e notit të skuadrës së “Lokomotivës” së Durrësit, në mesin dhe fundin e viteve ’60. Qysh atëherë unë e kam njohur djaloshin e hajthëm por muskuloz, sepse edhe unë isha nga një qytet bregdetar: Saranda. Organizoheshin aty kampionatet e notit dhe emri i Moikomit më ish ngulur në kokë bash si notar. Ishim bashkëmoshatar. Noti ishte pasioni i tij. Dashuria për t’u zhytur thellësive. Dhe, më pas, prej atyre thellësive, të nxirrte në dritë amfora e relike të gjithfarta nga bota e vdekur dhe e heshtur e shekujve ilirë, si arkeolog i nënujit. Por edhe udhëtimet ishin pasion i tij. Udhëtimet me një motoçikletë “Java”, kryq e tërthor, ku kish miq, njerëz, poetë, rrënoja arkeologjike, tubime letrare, kisha të vjetra, lëng jete.
Ah, gati harrova! Asoherë ai nuk quhej Moikom, por Molotov. Sikundër ngjante rëndom me prindërit tanë, shumë nga ne, fëmijtë e viteve ’40-’50, morën tok me adhurimin për vendin e sovjetëve dhe komunizmin e tyre ortodoks, edhe emra udhëheqësish si Zhdanov, Vladimir, Lenin, Molotov, Uljanov, Kirov, Leonid, Nikita, lere pastaj një tuf pafund që lidheshin me “nomenklaturën” e poezisë a dashurisë si Masha, Ljuba, Sasha, Sonja, Milla, Nadjezhda, Pobjeda, Zamira, Dusha; ose të letërsisë si Pushkin, Esenin, Fadajev, Maksim, për të mbaruar me lista luftëtarësh si Çapajev, Budjon, Taras, Matrazov, Vollodja etj., etj. Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, shumë vetë i ndërruan emrat e eksportuar, së paku i adoptuan ata. Edhe pse im at emrin ma vuri Josif, mepatjetër për Josif Visarionoviç Xhugaxhvilin, i quajtur ndryshe Stalin, rrënja biblike e tij triumfoi dhe mbeti Josif, emri i atit të Jezu Krishtit, marangozit të urtë me 9 fëmijë. Një historizë ndërrimi apo adoptimi ka edhe emri i Moikomit. Kjo historizë, në qarqet letrare, tregohet kështu:
Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare, që asoherë punonte si redaktor i gazetës “Drita” në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, kur Moikom Zequa nisi të botonte cikle poezish në faqet e shtypit letrar të fund-viteve ’60, në një nga këto cikle Karadeja pat vendosur vetë, me kokë të tij, që t’ja ndërronte emrin nga Molotov në Moikom. Bëri pra një “shqipërim”, a “poetizim” të një fjale të stërgjatë institucioni partiak rus. Apo ndoshta një “amerikanizim” (duke patur parasysh, bie fjala, emrin intrigues që vinte prej romanit “I fundmi i Mohikanëve”). Kjo është historiza, apo anekdota. Po ç’rëndësi ka, qoftë pse Moikomi s’e pranon përmasën anekdotike e folklorizante të saj, fituar në kohë. Fakti i bukur, për mua dhe gjithë të tjerët, është se ai u pagëzua jo nga një prift apo hoxhë, as nga ndonjë komisar a sekretar partie, ca më pak nga nëpunësi gjumash i gjendjes civile me listën e emrave iliro-shqiptar që nxirrte përpara, por nga një shkrimtar. Dhe pikërisht nga shkrimtari gjenial i kombit tonë, Ismail Kadare. Mos ishte vallë ky një bekim?! Vitet treguan, ashtu si për inat, se ai ishte vërtet një bekim.
Emri Moikom është krejt i veçantë. Ai fitoi dimension, u rrit nëpër libra, duke u bërë sot nga njerëzit më të dijshëm që promovon energjia intelektuale kombëtare, tej e përtej Shqipërisë; një emër, që veçse fugon për të kapur kohën, për të pjelloruar mendimin në gjedhe e fusha të larme, për të krijuar imazhe e për të luajtur me to. Mendja e tij bredh e luan herë në shilarësin e poezisë, herë në gjurmimet shkencore e studimet monografike, herë në radhët e prozës së shpenguar e herë në seancat spiritiste të meditimit estetik e filologjik, për t’u përsiatur më tutje në fshehtësitë dhe qasjet mitologjike të mugujve pellazgjikë, periudhës ilire dhe historisë kombëtare, posaçërisht asaj mesjetare, krahasuar këto me vektorët ballkanikë, evropianë e më gjerë. Si ai gjahtari dinak, që e njeh vendin dhe llojin e gjahut, edhe Moikomi dredhon nëpër xhunglën e fakteve, mes monopatesh të vështira, për t’u dhënë semantikën e kërkuar humbellave shpirtërore, në pjesën më të brishtë por edhe më të paepur të qenies sonë kombëtare: art, kulturë, letërsi. Jo vetëm në vlerësimin tim, por sot Moikom Zeqo është një “mal” në vargmalin e letrave shqipe, paçka se xhelozitë a shpirtëngushtësitë s’duan ta pranojnë kuotën e tij të merituar. Në diturinë dhe eseistikën shqiptare, veç një Rexhep Qoseje, Alfred Uçi a Ismail Kadareje, vështirë t’i afrohen të tjerë lartësisë së mbërritur prej tij. Mos, ndoshta, ky është një ekzaltim panegjerik i imi? Aspak, jo! Them se koha nesër s’do t’i quaj assesi fluturake, por të matura, madje të vonuara këto fjalë…
Librat e tij të fundit kanë një frymë të qashtër mesianike. Janë sumume dijesh, që jo çdo mendje mund t’i mpiks e t’i thadrojë. Ato e kanë shpërthyer guackën provinciale e periferike, ku rëndom është përkundur djepi i një tufe Adham-utësh të vjetër apo të rinj. Fati desh që liria të vinte, me të bashkë dhe lulëzimi i shpenguar i talentit të Moikomit. Është një talent që pa këtë liri të dhuruar veç mund të vdiste. Dhe vërtet vdekja po i afrohej nga letërsia shterpe, ngujuar mes bedenash kinse “patriotike”. Një energji kjo e tredhur, e çuar dëm nëpër ditirambe e zulme tribush groteske. Mbase, dikur, e pashmangshme por jo sot, në kohën e teknologjive informative dhe on-line. Kultura e shkrimtarit katapultohet gjithandej lëmenjëve të dijes që ka selitur bota, flladitet mes tyre, pllenohet, rimishërohet duke mëtuar të bëhet pjesë e saj. Teksa librat e tij i lexon me një frymë, ndjehesh edhe ti krenar për nivele të tilla, prej nga me të vërtetë mëson; krenar për njerëz të tillë vullnetmëdhenj, punëtorë, të ditur, modernë, enciklopedikë, njëherazi të mbushur me dëlirësi, me modesti e mirësi; krenar për ligjërimin tonë letrar, për eseistikën, për kritikën, për filologjinë përgjithësisht. S’bëhen kollaj këta njerëz. Edhe lindin të tillë, por edhe koha i bën. Zoti u ka falur hire, ca pak thërmija prej inteligjencies së tij. Përkundrazi, “Zotat e rremë” bëhen ziliqarë nga dija e tyre. Kam parasysh këtu një bisedë të botuar midis Moikom Zeqos dhe njërit prej këtyre “Zotave të rremë”, Enver Hoxhës, për origjinën ilire të shqiptarëve (përmes të dhënave arkeologjike), ku erudicioni i të parit nxiste kërshërinë e të dytit, por e modifikuar kjo si një “këshillim” prej udhëheqësi.
VERITAS.COM.AL